Ora dimërore në Kosovë fillon natën mes së shtunës, 24 tetor, dhe së dielës, 25 tetor, kur akrepat e orës në orën 03:00 do të kthehen në 02:00.
Kështu, Kosova, sikurse çdo vit, ndjek orarin e Bashkimit Evropian. Të njëjtën gjë bëjnë edhe të gjitha vendet e rajonit Kroacia dhe Sllovenia, si anëtare të BE-së, si dhe Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut.
Këtë të diel, orën do ta ndryshojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe Norvegjia dhe Zvicra. Ndryshimi do të bëhet edhe në Moldavi dhe Ukrainë, me përjashtim të disa zonave në lindje dhe Krimesë, sipas faqes timeanddate.com.
Në Evropë janë të pakta vendet që nuk e ndryshojnë orën. Islanda e mban gjatë gjithë vitit orën UTC+0, ndërsa Bjellorusia kaloi në vitin 2011 në UTC+3 për tërë vitin. Rusia, në tetor të vitit 2014, vendosi që pjesa perëndimore e vendit, përfshirë Moskën, ta mbajë përgjithmonë orën UTC+3, shkruan Brussels Times.
Turqia vendosi në vitin 2016 ta mbajë orën UTC+3 gjatë gjithë vitit. Po atë vit, ndryshimin sezonal të orës e hoqi edhe Azerbajxhani. Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew nga viti 2023, orën nuk e ndryshojnë as Armenia dhe Gjeorgjia.
Jashtë Evropës, gjatë dekadës së fundit, ndryshimin e orës e kanë hequr edhe Brazili, Irani, Jordania, Namibia, Samoa, Siria dhe Uruguai, sipas Pew. Provinca kanadeze e Kolumbisë Britanike vendosi në mars të vitit 2026 ta mbajë përgjithmonë orën verore.
Po në pjesën tjetër të botës?
Në Shtetet e Bashkuara, akrepat do të kthehen prapa më 1 nëntor, në orën 02:00 të mëngjesit, shkruan Fox 5 NY. Atje, debati zhvillohet në drejtim të kundërt me atë në disa vende evropiane.
Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi më 14 korrik 2026 projektligjin H.R. 139, të njohur si Sunshine Protection Act, i cili do ta bënte të përhershme orën verore. Këtë e bëri të ditur Komiteti i Dhomës për Energjinë dhe Tregtinë.
Projektligji tani i kalon Senatit dhe, për t’u bërë ligj, duhet të nënshkruhet edhe nga presidenti. Legjislacioni federal aktualisht nuk ua lejon shteteve që ta vendosin vetë orën verore të përhershme, ndërsa Senati ende nuk ka votuar për propozimin, sipas Sleep Foundation.
Australia ndjek një kalendar të kundërt. Atje, akrepat u çuan një orë përpara më 4 tetor dhe do të kthehen prapa në prill. Orën verore e përdorin Territori i Kryeqytetit Australian, Uellsi i Ri Jugor, Australia Jugore, Tasmania dhe Viktoria, ndërsa Australia Perëndimore, Kuinslendi dhe Territori Verior nuk e zbatojnë këtë sistem, sipas timeanddate.com.
Në Afrikë, sipas Pew, Egjipti ishte në vitin 2023 i vetmi shtet që përdorte orën verore. Këtë vit, atje ajo përfundon më 30 tetor. Maroku vendosi në vitin 2018 ta mbajë orën UTC+1 gjatë gjithë vitit, duke u kthyer në UTC+0 gjatë muajit të Ramazanit. Namibia, ndërkaq, vendosi në vitin 2017 ta mbajë përgjithmonë orën UTC+2.
Ishujt Kanarie, Seuta, Melilla dhe Madeira, të cilat gjeografikisht ndodhen në Afrikë, e ndryshojnë orën njësoj si vendet e Bashkimit Evropian, shkruan Brussels Times.
Pse ndryshohet ora?
Për herë të parë, ora u ndryshua më 30 prill 1916 në Perandorinë Gjermane dhe Austro-Hungari, gjatë Luftës së Parë Botërore, me qëllim të kursimit të qymyrit, shkruan Stuttgarter Zeitung.
Gjermania e hoqi këtë praktikë në vitin 1919, e zbatoi sërish nga viti 1940 deri më 1949, ndërsa formën e sotme e ka që nga viti 1980, pas krizës së naftës të vitit 1973.
Që nga viti 1996, të gjitha vendet e BE-së e ndryshojnë orën në të njëjtat data. Direktiva 2000/84/EC përcakton se ora verore fillon të dielën e fundit të marsit dhe përfundon të dielën e fundit të tetorit.
Kursimi i energjisë ishte arsyeja kryesore për futjen e kësaj praktike. Megjithatë, Agjencia Federale Gjermane e Mjedisit vlerëson se kursimi i mundshëm i energjisë neutralizohet në masë të madhe nga rritja e konsumit për ngrohje gjatë mëngjeseve më të ftohta, transmeton Vienna.at.
Si ndikon ndryshimi i orës?
Sipas NPR-së, Parlamenti Evropian, në një rezolutë të shkurtit 2018, theksoi se analizat nuk kishin dhënë një përgjigje të qartë nëse ndryshimi i orës sjell më shumë përfitime apo dëme, por kishin evidentuar ndikime të mundshme negative në shëndet.
Në konsultimin e Komisionit Evropian të vitit 2018 morën pjesë 4.6 milionë njerëz, prej të cilëve 84 për qind u shprehën në favor të heqjes së ndryshimit të orës. Pjesëmarrësit u ankuan për lodhje dhe rritje të numrit të aksidenteve rrugore, raportoi AFP.
Mbajtja e një orari të përbashkët është e rëndësishme edhe për transportin ndërkombëtar hekurudhor dhe ajror. Ndërkaq, mëngjesi i hershëm i së dielës është zgjedhur për ndryshimin e orës, pasi në atë kohë ka më pak trafik, sipas Ministrisë së Transportit dhe Komunikimeve të Finlandës.
Pse Evropa nuk po arrin marrëveshje?
Komisioni Evropian propozoi heqjen e ndryshimit sezonal të orës më 12 shtator 2018, ndërsa Parlamenti Evropian e mbështeti propozimin më 26 mars 2019, me 410 vota për dhe 192 kundër.
Megjithatë, Këshilli i BE-së, miratimi i të cilit është i domosdoshëm, e ndali procesin në vitin 2019 dhe që atëherë nuk ka arritur të miratojë një qëndrim të përbashkët. Për këtë nevojitet një shumicë e kualifikuar e shteteve anëtare.
Mosmarrëveshja nuk lidhet me vetë heqjen e ndryshimit të orës, por me atë se cilin orar duhet të mbajnë vendet përgjithmonë. Vendet veriore përgjithësisht favorizojnë orën dimërore të përhershme, ndërsa ato jugore preferojnë orën verore, shkruan mediumi lituanez LRT.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, presidenca polake e Këshillit të BE-së propozoi që të gjitha vendet ta mbanin përgjithmonë orën verore, me mundësi rishikimi pas dy vjetësh. Megjithatë, nuk u arrit marrëveshje.
Një tjetër pengesë është frika nga fragmentimi i zonave kohore. Nëse secili shtet do të vendoste veçmas, vendet fqinje mund të përfundonin me orare të ndryshme, duke vështirësuar organizimin e trenave, fluturimeve dhe punën e personave që kalojnë çdo ditë kufirin.
Irlanda e kundërshtoi këtë mundësi në vitin 2019, pasi pas Brexit-it rrezikohej që në të njëjtin ishull të ekzistonin dy zona kohore, shkruan TheJournal.ie. Sipas LRT-së, Komisioni Evropian nuk ka kompetenca për t’i detyruar shtetet të marrin një vendim.
Më 20 tetor 2025, Spanja propozoi në Këshillin e BE-së për Energjinë, në Luksemburg, që ndryshimi sezonal i orës të hiqej nga viti 2026. Propozimi u mbështet nga Finlanda dhe Polonia.
Në shkurt të vitit 2026, Komisioni Evropian nisi një studim për pasojat e mundshme të heqjes së ndryshimit të orës. Studimi po realizohet nga një konsorcium i përbërë nga kompanitë Ecorys, Capgemini, Stratec dhe CE Delft dhe pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, thuhet në një dokument të Këshillit të BE-së të datës 3 qershor 2026.
Lituania do ta marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 janar 2027. /Telegrafi/

