Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kërkuar miratimin sa më të shpejtë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se procesi është zvarritur për shkak të kundërshtimeve dhe kontestimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Në anën tjetër, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë, duke thënë se Byroja është përdorur si temë elektorale dhe se duhet të shndërrohet në një politikë publike.
Rrustemi ka thënë se projektligji është ndër më të diskutuarit në jetën parlamentare dhe politike të Kosovës, pasi që nga viti 2022 është shqyrtuar në Kuvend, është kontestuar dy herë në Gjykatën Kushtetuese dhe për të janë dhënë tri opinione nga Komisioni i Venecias.
“Natyrisht që pas miratimit në lexim të parë, Komisioni për Legjislacion ka themeluar grupin punues dhe ka shqyrtuar nën për nën, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve, por edhe të akterëve të tjerë institucionalë, përfshirë edhe shoqërinë civile. Duhet ta themi një gjë: ky është një ndër projektligjet më të diskutuara në jetën tonë parlamentare e politike që është e vërteta, prej viti 2022 është në Kuvend të Kosovës, është votuar dy herë, është kontestuar dy herë në Gjykatën Kushtetuese, kemi tre opinione të Komisionit të Venecias, nuk besoj që ka pasur ndonjëherë ndonjë ligj më të diskutuar dhe më të shqyrtuar”, tha ai.
Ai ka vlerësuar se grupi punues ka trajtuar secilin element të projektligjit, përfshirë kërkesat e shoqërisë civile, ndërsa ka thënë se Kosova është vonuar në themelimin e Byrosë dhe se ky institucion tashmë do të duhej të kishte nisur trajtimin e rasteve të para.
“Jemi vonuar, jemi vonë me, me këtë ligj. Tashmë do të duhej që buroja të ishte themeluar dhe do të fillonte të trajtonte rastet e para të verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe të konfiskimit të kësaj pasurie. Por, siç e dimë, domethënë, kundërshtimet e mëdha që janë bërë këtij, këtij ligji dhe kontestimet dy herë në Gjykatën Kushtetuese e kanë zvarritur deri këtu. Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet sa më parë, natyrisht, duke respektuar të gjitha afatet, ta miratojmë dhe sa më parë ta themelojmë buronë dhe të fillojë punën”, tha ai.
Sipas Rrustemit, Byroja synon të luftojë keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga zyrtarët e lartë për përfitime personale, duke mundësuar verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë që nuk mund të justifikohet.
“Po, natyrisht, adresimi i parë dhe më i rëndësishëm është adresimi i një fenomeni, i një shqetësimi të vazhdueshëm në jetën tonë institucionale dhe publike, që ka qenë shpërdorimi i detyrës zyrtare nga zyrtarët e lartë për t’u pasuruar në kurriz të pasurisë së shtetit. Kjo pasuri duhet të verifikohet dhe pasuria që nuk arrin të justifikohet, duhet të konfiskohet dhe t’i kthehet shtetit. Përfitimi i parë është, pikërisht ky, domethënë, le të themi, adresimi i keqpërdorimeve të mëdha të pasurisë publike nga zyrtarët e lartë; në anën tjetër, e rrit etikën publike të zyrtarëve të lartë publikë, që tash e tutje askush nuk mund ta shohë pozitën si një mundësi për vete dhe për familjen apo grupin. Është një mekanizëm tepër i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, në ndërtimin e institucioneve me integritet dhe, natyrisht, barazisë para ligjit, duke verifikuar dhe konfiskuar pasurinë e zyrtarëve të lartë publikë, të cilët nuk arrijnë ta justifikojnë, natyrisht”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës Besnik Tahiri, ka thënë se Byroja duhet të themelohet sa më shpejt, por ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, e ka përdorur këtë nismë gjatë proceseve zgjedhore.
“Byroja, edhe si institucion, mirëpo edhe si nisje legjislative, kurrë nuk ka qenë qëllim në vetvete i kësaj qeverie. Mirëpo, ka qenë një politikë elektorale, e cila u përdor në secilën palë zgjedhje. Fillimisht duke e bërë një ligj, i cili është ditë që vjen ndesh me Kushtetutën, pastaj draftin e dytë që bie ndesh edhe me Komisionin e Venecias. Tash jemi gjashtë vjet mbrapa, ende nuk është themeluar kjo byro. Byroja do ta ketë rolin e vet dhe duhet ta ketë; ne e kemi votuar, e kam votuar në legjislacion. Duke qenë se e tillë, duhet sa më shpejt të jetë, ashtu që të mos jetë pjesë e një koncepti elektoral, por një politike publike të qeverisë”, tha ai.
Tahiri ka thënë se ka dhënë kontributin e Aleancës në grupin punues, me synimin që projektligji të përmirësohet dhe të mos vazhdojë të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk duhet të kontestohet në Gjykatë Kushtetuese. Kam dhene kontributin e Aleancës, në mënyrë që te përfundon kjo sagë. Për shkak se debati publik është kthyer në një qëllim elektoral. Qëllimi elektoral nuk duhet ta mundë një politikë publike të qeverisë. Duhet ndryshuar edhe këtë do ta trajtojnë”, tha ai.
Projektligji është shqyrtuar gjatë javës nga grupi punues pas miratimit në lexim të parë. Pas përfundimit të punës së grupit, të premten drafti është miratuar në Komisionin për Legjislacion, ndërsa pritet të shqyrtohet edhe nga komisionet e tjera të përhershme para se të procedohet në Kuvend për votim në lexim të dytë.
Gjatë këtij procesi, organizatat e shoqërisë civile, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kanë kërkuar ndryshime në projektligj, duke ngritur çështje që lidhen me pavarësinë e Byrosë, garancitë gjyqësore, të drejtat e qytetarëve dhe transparencën.
IKD-ja ka rekomanduar që drejtori i Byrosë të zgjidhet në Kuvend me së paku 61 vota, me qëllim të kufizimit të ndikimit politik. Po ashtu, ka kërkuar që barra e provës të mos kalojë automatikisht te qytetari pa kontroll paraprak nga gjykata dhe që specializimi gjyqësor për këtë fushë të përfshijë edhe Gjykatën e Apelit.
Ndër rekomandimet e IKD-së janë edhe përcaktimi i një pragu prej 25 mijë eurosh mospërputhje për nisjen e verifikimit të pasurisë, si dhe rregullimi i së drejtës për kompensim në rastet kur masat e Byrosë u shkaktojnë dëme materiale qytetarëve apo bizneseve pa përfunduar me konfiskim.
Ndërkaq, KDI-ja ka kritikuar nxitimin në komisione dhe mungesën e transparencës në dëgjimet publike, si dhe ka tërhequr vërejtjen për koston e parashikuar operative të Byrosë, e cila vlerësohet në rreth 1.2 milion euro në vit./EO

