Nëntë persona, shtatë burra dhe dy gra, janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit të PK-së, gjashtë nga të dyshuarit janë shtetas kosovarë, ndërsa tre të tjerë shtetas gjermanëm raporton Zeri.info.
“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë zhvilluar aktivitete kriminale përmes qendrave të thirrjeve. Në pajisjet e tyre kompjuterike janë gjetur të dhëna të shtetasve të huaj, të cilët dyshohet se i kanë kontaktuar dhe mashtruar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kontrollit të katër lokacioneve, policia ka gjetur dhe konfiskuar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të jashtme për ruajtjen e të dhënave (HDD), një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
“Me vendim të prokurorit, të nëntë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri

