Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka vendosur të lehtësojë disa nga tarifat prej 50 për qind për mallrat kanadeze, vetëm dy javë para zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se, nga 30 tetori, do të hiqen disa nga tarifat për produkte të caktuara, përfshirë pllakat e kompensatës, disa produkte të letrës, makineri të caktuara dhe pajisje ftohëse.
Vendimi u bë publik fillimisht nga senatorja republikane Susan Collins, e cila po zhvillon një garë të ngushtë për të mbajtur ulësen e saj në Senat, në shtetin e Maine. Collins tha se kishte lobuar për këtë ndryshim dhe se përjashtimet nga tarifat do të ndihmojnë sektorin bujqësor të shtetit të saj.
ShBA-ja kishte vendosur tarifa prej 50 për qind për rreth 20 miliardë dollarë mallra kanadeze, pasi negociatat tregtare mes dy vendeve dështuan në gusht, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv
Në përgjigje, Kanadaja ndërmori një sërë masash kundër tarifave amerikane. Kryeministri kanadez, Mark Carney, i kishte cilësuar këto masa si të domosdoshme për mbrojtjen e punëtorëve të vendit.
Muajin e kaluar, Carney vendosi tarifa kundërpërgjigjëse në të njëjtën vlerë me ato amerikane, pas dështimit të negociatave. Trump kishte arsyetuar vendosjen e tarifave duke pretenduar se prodhuesit amerikanë të automjeteve, si dhe sektorët e qumështit dhe alkoolit, po përballeshin me trajtim të pabarabartë në tregtinë me Kanadanë.
Lehtësimi i pjesshëm i tarifave vjen në një moment të rëndësishëm politik në ShBA, ndërsa republikanët përpiqen të ruajnë shumicën e tyre në Kongres në zgjedhjet e mesmandatit.

