KORREKT / SOT24 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Si po ecën realisht ekonomia amerikane nën presidentin Trump?

Si po ecën realisht ekonomia amerikane nën presidentin Trump?

Presidenti amerikan, Donald Trump ka lavdëruar vazhdimisht performancën e ekonomisë amerikane në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit për Kongresin, duke pretenduar se ka rritur të ardhurat, ka ulur inflacionin dhe ka krijuar vende të reja pune.

Trump ka përsëritur disa herë: “Ne kemi vendin me ekonominë më të fuqishme kudo në botë”.

Megjithëse ekonomia amerikane po ecën më mirë sesa pritej nga shumëkush pas vendosjes së tarifave të gjera doganore nga Trump, të cilat ai i quajti “Dita e Çlirimit” në vitin 2025, ka dëshmi se këto taksa mbi importet dhe ndikimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit kanë rritur inflacionin. Pasojat negative po ndihen në shumicën e familjeve amerikane.

Ekonomia amerikane po përfiton gjithashtu nga vala e investimeve në inteligjencën artificiale (IA), por mund të përballet me vështirësi nëse këto shpenzime ndërpriten.

Atëherë, si po e përjeton gjithë këtë një amerikan mesatar? BBC Verify ka analizuar nëse të dhënat i mbështesin pretendimet e presidentit.

1. Ekonomia amerikane po rritet

Ekonomia amerikane po shënon rritje të kënaqshme, krahasuar me standardet historike të viteve të fundit në vend.

Të dhënat më të fundit tregojnë se bruto produkti i brendshëm (BPB), tregues me të cilin ekonomistët matin madhësinë e ekonomisë amerikane, po rritet me një normë vjetore prej 2.2 për qind.

Në përgjithësi, ekonomia është rritur me rreth 3.2 për qind që nga fundi i vitit 2024, pak para se Trump të merrte detyrën për mandatin e tij të dytë.

Kjo është një rritje më e madhe sesa ajo e çdo anëtari tjetër të grupit G7, që përfshin ekonomitë më të mëdha të zhvilluara në botë, gjatë kësaj periudhe.

Rritja ekonomike e SHBA-së ka qenë më e shpejtë sesa parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të bëra menjëherë pas njoftimit të Trumpit, më 2 prill 2025, për vendosjen e një sërë tarifash të reja ndaj mallrave që hyjnë në SHBA.

Në atë kohë, FMN-ja uli parashikimet e saj, duke përmendur ndikimin negativ të tarifave të Trumpit në investime dhe shpenzimet e konsumatorëve.

Megjithatë, duhet theksuar se Trumpi i lehtësoi ndjeshëm tarifat gjatë muajve pasues, duke zvogëluar ndikimin që fillimisht pritej të kishin ato në ekonomi.

Ekonomia amerikane është mbështetur fuqishëm vitet e fundit edhe nga investimet e mëdha të kompanive amerikane të teknologjisë në inteligjencën artificiale, përfshirë ndërtimin e qendrave të të dhënave në mbarë vendin.

Shpenzimet e kompanive amerikane për ndërtimin e qendrave të të dhënave, pa përfshirë pajisjet informatike që instalohen brenda tyre, arritën në pesë miliardë dollarë në gusht të vitit 2026. Kjo është pothuajse dyfishi i nivelit mujor të shpenzimeve kur Trumpi u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

2. Inflacioni është rritur

Shumë votues amerikanë synuan ta ndëshkonin Joe Bidenin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke e bërë përgjegjës për vështirësitë e shkaktuara nga rritja e ndjeshme e çmimeve pas pandemisë.

Norma aktuale e inflacionit në SHBA është 3.7 për qind.

Kjo është dukshëm më e ulët se niveli kulmor prej nëntë për qind, i regjistruar gjatë presidencës së Bidenit në vitin 2022, por më e lartë se norma prej tre për qind që Trumpi trashëgoi në janar të vitit 2025.

Ekonomistët vlerësojnë se inflacioni në SHBA do të ishte më i ulët pa tarifat e reja të vendosura nga Trumpi pas rikthimit të tij në pushtet.

Edhe ndikimi i luftës me Iranin në çmimet globale të energjisë, për shkak të ndërprerjeve të konsiderueshme në furnizimin me naftë dhe karburante nga Lindja e Mesme, ka kontribuar në rritjen e inflacionit në SHBA.

Çmimi i një galoni nafte dizel në SHBA, karburant që përdoret jo vetëm nga shoferët, por edhe gjerësisht në bujqësi dhe industri, arriti një rekord prej 6.52 dollarësh në shtator.

Çmimet e disa produkteve bazë ushqimore, si mishi i viçit dhe kafeja, janë rritur që nga rikthimi i Trumpit në pushtet, ndërsa çmimi i vezëve ka rënë.

Disa kompani amerikane të shitjes me pakicë kanë paralajmëruar gjithashtu se rritja e çmimeve të energjisë, e shkaktuar nga lufta me Iranin, do ta bëjë prodhimin e ushqimit më të shtrenjtë dhe do të çojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët.

3. Rritja e të ardhurave familjare është frenuar

Të ardhurat mesatare të familjeve amerikane vazhdojnë të rriten gjatë presidencës së Trumpit.

Të ardhurat mediane, pasi përshtaten sipas inflacionit, u rritën me 2.6 për qind në vitin 2025, duke arritur në 87 mijë e 460 dollarë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Megjithatë, instituti kërkimor Institute on Taxation and Economic Policy (ITEP) ka vlerësuar ndikimin e kombinuar të disa faktorëve në financat e familjeve amerikane:

– Uljet e taksave të miratuara nga Trumpi;

– Përfundimi i subvencioneve shtesë qeveritare që kishin bërë sigurimin shëndetësor më të lirë për miliona amerikanë;

– Rritja e çmimeve, më e lartë se sa pritej gjatë mandatit të dytë të Trumpit, përfshirë atë që lidhet me tarifat doganore dhe luftën me Iranin.

Sipas përfundimeve të ITEP-it, familjet me të ardhura të mesme, që përbëjnë një të pestën e popullsisë, janë mesatarisht rreth 1 mijë e 700 dollarë më keq financiarisht në vitin 2026 sesa do të ishin pa këto ndryshime.

Ndërkohë, familjet me të ardhurat më të ulëta, që përbëjnë një të pestën e popullsisë, janë rreth 750 dollarë më keq.

Në të kundërt, një për qind e amerikanëve më të pasur vlerësohet të jenë mesatarisht 12 mijë e 560 dollarë më mirë financiarisht, kryesisht për shkak të uljeve të taksave të Trumpit.

Vlerësimet e ITEP-it për ndikimin e tarifave në familjet amerikane me nivele të ndryshme të të ardhurave janë përgjithësisht të ngjashme me ato të institutit kërkimor Tax Foundation.

4. Krijimi i vendeve të punës është ngadalësuar

Trumpi kishte parashikuar se tarifat e tij do të bënin që Amerika të “mbushej me vende pune”, pasi kompanitë prodhuese do të hapnin fabrika të reja në SHBA për të shmangur taksat mbi produktet e tyre në kufi.

Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, ekonomisë amerikane i janë shtuar mesatarisht 34 mijë vende pune në muaj.

Megjithatë, kjo shifër është dukshëm më e ulët se 122 mijë vendet e punës që shtoheshin çdo muaj gjatë vitit të fundit të presidencës së Bidenit.

Edhe numri i amerikanëve të punësuar në industrinë prodhuese, që në shtator të vitit 2026 ishte 12.6 milionë, është pak më i ulët sesa në fillim të mandatit të dytë të Trumpit.

Megjithatë, norma e papunësisë në SHBA mbetet relativisht e ulët, në 4.2 për qind, afërsisht në të njëjtin nivel si kur Trumpi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.

Një nga arsyet për këtë është politika e ashpër e Trumpit ndaj emigracionit dhe programi i dëbimeve, të cilat kanë zvogëluar numrin e punëtorëve të disponueshëm në SHBA.

Kjo do të thotë se çdo muaj nevojitet krijimi i një numri më të vogël vendesh pune për të parandaluar rritjen e papunësisë.

5. Kostot e huamarrjes po rriten

Huamarrja e qeverisë amerikane është rritur gjatë mandatit të dytë të Trumpit, pjesërisht si pasojë e uljeve të konsiderueshme të taksave të miratuara prej tij.

Deficiti i qeverisë federale, që paraqet diferencën ndërmjet të ardhurave nga taksat dhe shpenzimeve, arriti në dy trilionë dollarë në vitin që përfundoi në shtator të vitit 2026.

Kjo është e barabartë me rreth gjashtë për qind të bruto produktit të brendshëm të SHBA-së.

Parashikohet që deficiti amerikan të rritet në më shumë se tetë për qind të BPB-së deri në vitin 2030.

Kjo normë e lartë e huamarrjes qeveritare po ndihmon gjithashtu në rritjen e BPB-së amerikane.

Megjithatë, FMN-ja ka paralajmëruar se huamarrja e tepërt e qeverisë amerikane për të mbuluar deficitin, si dhe rritja e shpejtë e borxhit kombëtar, po shtojnë rrezikun e një krize të ardhshme financiare në SHBA. Një krizë e tillë do të kishte pasoja thellësisht negative për shumicën e familjeve amerikane.

Deficiti në rritje është gjithashtu një nga arsyet pse qeveria amerikane duhet të paguajë më shumë për të marrë hua në tregjet financiare.

Rendimenti i obligacioneve dhjetëvjeçare të qeverisë amerikane është rritur ndjeshëm që nga rikthimi i Trumpit në pushtet, në janar të vitit 2025, dhe tani është mbi pesë për qind. Ky është niveli më i lartë që nga kriza financiare globale e vitit 2007.

Rritja e kostos së huamarrjes së qeverisë amerikane ushtron presion edhe mbi normat e interesit të kredive hipotekare për familjet amerikane.

Norma e interesit për një kredi të re hipotekare 30-vjeçare në SHBA është rritur në 7.4 për qind në vit, nga 6.9 për qind kur Trumpi u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo e ka përkeqësuar situatën në tregun amerikan të banesave, duke i bërë ato më pak të përballueshme për blerësit e rinj.

Në të njëjtën kohë, shumë pronarë aktualë hezitojnë të ndërrojnë banesat, sepse kjo do të nënkuptonte heqjen dorë nga kreditë hipotekare me norma më të ulëta interesi, të cilat i kanë marrë më herët dhe nuk mund t’i transferojnë te një pronë e re. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.