Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se komuniteti i biznesit dhe diaspora përbëjnë dy nga potencialet kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Duke folur në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Gërxhaliu ka thënë se bizneset vendore kanë kaluar sfida të mëdha gjatë viteve të ’90-ta, duke krijuar përvojën e nevojshme për t’u përballur me vështirësitë e të bërit biznes.
“Besoj që fatbardhësia më e madhe e Kosovës është që e ka një komunitet të biznesit që, si duket, e ka kaluar akademinë më të vështirë të të bërit biznes në vitet 1990-1999, dhe për ta nuk ka më pengesë”, ka deklaruar ai.
Gërxhaliu ka theksuar gjithashtu rolin e diasporës në zhvillimin e vendit, duke argumentuar se kontributi i saj dhe ai i sektorit privat duhet të shndërrohen në një platformë të përbashkët për rimëkëmbje më të fuqishme ekonomike.
Sipas tij, një bashkëpunim i tillë do të sillte përfitime për Kosovën dhe qytetarët e saj, por edhe për vetë komunitetin e biznesit dhe diasporën.
“Në fund të fundit, Kosova është e të gjithëve dhe jo vetëm e partive politike, sepse në fund politika jeton pikërisht nga kontributi i bizneseve dhe diasporës”, ka theksuar Gërxhaliu në Klan Kosova.

