Kosova synon të përfaqësohet në edicionin e radhës të çmimeve “Oscars” me filmin “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili është përzgjedhur nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) si propozimi i vendit për kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Përmes këtij propozimi, kinematografia kosovare synon të depërtojë në një prej skenave më të rëndësishme të industrisë botërore të filmit, ndonëse gara për të siguruar një nominim në ceremoninë prestigjioze të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit është e gjatë dhe mjaft konkurruese.
Gjatë premierës së filmit “DUA”, të mbajtur në kinemanë Cineplexx në Prishtinë, Telegrafi ka intervistuar regjisoren Blerta Basholli, e cila ka folur për sfidat e kësaj gare, pritshmëritë dhe përpjekjet që po bëhen për ta prezantuar sa më mirë filmin përpara votuesve të Akademisë.
Basholli e konsideron garën për “Oscars” një sfidë të veçantë, që funksionon ndryshe nga kategoritë e tjera të çmimeve filmike. Megjithatë, ajo thekson se ekipi i filmit po punon me përkushtim, me synimin për të shfrytëzuar maksimalisht mundësinë që i është dhënë.
“Është një garë e veçantë, është krejt tjetër nivel dhe, para së gjithash, një kategori krejt tjetër. Nëse nuk jemi optimistë, normalisht që nuk i futemi fare garës. Por unë jam person që nuk mendoj shumë nëse do të nominohemi apo jo. Ajo që dua është ta bëj punën në maksimum, sikur të nominohemi”, është shprehur Basholli për Telegrafin.
Regjisorja ka vlerësuar ekipin që qëndron prapa filmit, duke bërë të ditur se përpjekjet për promovimin e tij përfshijnë profesionistë të komunikimit dhe publicitetit në disa vende.
Ajo ka treguar se “DUA” mbështetet nga tre publicistë në Evropë, Nju Jork dhe Los Angeles, krahas ekipit që po punon në Kosovë. Sipas saj, synimi është që fushata promovuese të realizohet sa më mirë, megjithëse një garë e tillë kërkon burime të konsiderueshme financiare.
“Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë prapa vetes. I kemi tre publicistë shumë të mirë në Evropë, Nju Jork dhe Los Angeles, ndërsa edhe këtu në Kosovë e kemi ekipin tonë shumë të mirë. Mendoj se do të bëjmë një punë të mirë sa i përket fushatës. Pjesa tjetër varet edhe nga mënyra se si zhvillohet gara, sepse fushata është shumë e madhe dhe kërkon investime të konsiderueshme”, ka thënë ajo.
Përtej rezultatit që mund të arrijë filmi në garën për çmimet “Oscars”, Basholli shpreson që “DUA” të krijojë një lidhje të veçantë me publikun dhe që secili shikues të gjejë diçka personale në historinë e treguar.
Ajo thekson se një nga synimet kryesore të filmit është që publiku t’u besojë personazheve dhe situatave të paraqitura, duke gjetur në to përvoja ose ndjenja me të cilat mund të identifikohet.
– YouTube youtu.be
“Nuk kam ndonjë mesazh të veçantë. Shpresoj që secili që e sheh filmin të gjejë diçka për vete. Mbi të gjitha, shpresoj që t’u besojë personazheve dhe situatave dhe të gjejë diçka të vetën në këtë histori. Ne jemi munduar të tregojmë një pjesë të historisë”, ka përfunduar Basholli.
Tashmë, vëmendja mbetet te rrugëtimi i filmit “DUA” në garën ndërkombëtare dhe te mundësia që ai të sigurojë një vend në mesin e filmave të nominuar. Për kinematografinë e Kosovës, një nominim i mundshëm do të përbënte një tjetër moment të rëndësishëm në përpjekjet për ta prezantuar krijimtarinë vendore në skenën botërore. /Telegrafi/

