Gazetari shqiptar në Beograd, Idro Seferi, ka deklaruar në emisionin Rubikon, se Lista Studentore në Serbi, gjatë fushatës parazgjedhore, është distancuar nga çështja e Kosovës, duke e cilësuar këtë si pjesë të strategjisë së saj politike.
Seferi ka thënë se kjo listë nuk përfaqëson një ideologji të vetme politike, por përfshin grupe me orientime të ndryshme politike që veprojnë në Serbi.
Ai ka përmendur edhe një memorandum për Kosovën, të publikuar në Kragujevc nga një grup me orientim më të djathtë brenda Listës Studentore, i cili, sipas tij, është kritikuar nga një pjesë e simpatizuesve të studentëve dhe e shoqërisë civile.
“Ndërkaq, në fushatën parazgjedhore kemi pasur një lloj distancimi nga tema e Kosovës, duke u thënë nga kryesuesi i listës që ne do t’i përmbahemi Kushtetutës së Serbisë”, ka deklaruar Seferi në Rubikon të Klan Kosovës.
Sipas tij, edhe deklaratat publike kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me akuza se ai e ka tradhtuar Kosovën, mund të jenë pjesë e strategjisë së fushatës parazgjedhore.
Megjithatë, Seferi ka veçuar edhe reagimin e Listës Studentore ndaj deklaratave të ministres serbe për spastrimin etnik, të cilat studentët i kanë cilësuar si gjuhë të papranueshme.
"Kemi pasur çuditërisht edhe një reagim të Listës Studentore në momentin kur ministrja serbe pati folur për spastrimin etnik, ajo bashkëqytetarja jonë nga Peja. Ka pasur një reagim të ashpër që kjo gjuhë është e papranueshme po ashtu nga studentët".

