Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë të ditur se dialogu strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës do të mund të vazhdojë kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës në raport me serbët lokalë.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka rikujtuar se ky dialog ishte pezulluar për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve të SHBA-së lidhur me veprimet e qeverisë së atëhershme në detyrë.
Uashingtoni mbetet i përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta me popullin e Kosovës, por rifillimin e dialogut strategjik e lidh me krijimin e kushteve të përshtatshme dhe përmbushjen e zotimeve të marra nga Kosova.
“Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë. Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim që të zhvillojmë dialog strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigjje zyrtare për Klan Kosova.
Pezullimi i dialogut strategjik SHBA–Kosovë përbën një çështje të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke pasur parasysh partneritetin e gjatë dhe mbështetjen amerikane për Kosovën në fusha të ndryshme politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Deklarata e fundit e ambasadës tregon se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë të rëndësishëm bashkëpunimin me Kosovën, por për rifillimin e dialogut strategjik kërkon që të adresohen shqetësimet e ngritura më herët.
Në këtë kontekst, përmbushja e zotimeve ndaj komunitetit serb në Kosovë mbetet një nga kushtet e përmendura shprehimisht nga pala amerikane për krijimin e rrethanave që do të mundësonin rifillimin e këtij procesi./Lajmi.net/

