Klubi i Futbollit Shkëndija njofton publikun se, për shkak të interesimit të madh për ndeshjen e xhiros së 11-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut kundër Vardarit, e cila zhvillohet të shtunën, nga ora 14:00, në stadiumin e qytetit në Gostivar, kërkohet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i të gjithë të pranishmëve.
Për herë të parë në rolin e vendasit, Shkëndija do të luajë në një stadium me kapacitet të kufizuar. Tribuna e vetme ka 1.500 vende, ndaj për arsye sigurie nuk do të lejohet tejkalimi i këtij kapaciteti.
"Për këtë arsye, ju lutemi të keni parasysh:
Ejani më herët në stadium, për të shmangur pritjet dhe grumbullimet para hyrjeve.
Do të ketë kontrolle në hyrje dhe në tribunë nuk do të lejohet numër më i madh spektatorësh sesa kapaciteti i përcaktuar.
Hyrja pa biletë lejohet vetëm për fëmijët që shoqërohen nga prindi dhe që nuk zënë ulëse, pra që mund të mbahen në prehër.
Përfaqësuesit e mediave që dëshirojnë ta ndjekin ndeshjen duhet të kërkojnë akreditim paraprakisht, për shkak të hapësirave të kufizuara.
Apelojmë te të gjithë tifozët për anim korrekt dhe fair-play, duke e mbështetur Shkëndijën me pasion, por gjithmonë brenda rregullave, pa veprime që mund të shkaktojnë incidente apo të sjellin ndëshkime për klubin.
E kuptojmë interesimin e madh të tifozëve dhe dëshirën për ta mbështetur ekipin, por kapaciteti i stadiumit nuk mund t’i përfshijë të gjithë ata që dëshirojnë të jenë të pranishëm.
Siguria e publikut është prioritet, ndaj kërkojmë mirëkuptimin dhe respektimin e udhëzimeve nga të gjithë.
Faleminderit për bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj. Kuqezinjtë kanë nevojë për ju, por mbi të gjitha, duam që ndeshja të zhvillohet në kushte të sigurta për të gjithë!" /Zëri

