Dogana e Kosovës ka zbuluar 20 copë ngrohëse të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, automjeti është përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut. Gjatë intervistimit, udhëtari nuk kishte deklaruar mallra për raportim te autoritetet doganore, transmeton Zeri.info.
Për shkak të dyshimeve, zyrtarët doganorë e kanë dërguar automjetin në vijën e dytë të kontrollit, ku gjatë verifikimit më të detajuar janë gjetur 20 ngrohëse me vlerë të përafërt prej 1,200 eurosh, pa përfshirë taksat doganore.
Mallrat janë ndaluar, ndërsa rasti do të trajtohet në përputhje me procedurat administrative dhe legjislacionin në fuqi. /Zëri
