Dhimbjet e kokës dhe ato në zonën e veshit, që shfaqen pas vendosjes së urave apo protezave dentare, mund të lidhen me ndryshimet në kafshim.
Kështu ka shpjeguar specialistja e protetikës stomatologjike, Rajmonda Halili gjatë një bisede në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.
Sipas saj, gjatë realizimit të punimeve protetike, një ndër elementet më të rëndësishme është ruajtja e dimensionit vertikal të kafshimit, pasi ndryshimet e pasakta mund të shkaktojnë shqetësime te pacientët.
“Kur punojmë në një protezë ose në një urë, ne këtë dimension e ulim ose e ngritim. Prandaj duhet të jemi shumë, shumë të saktë në këto dimensione”, ka shpjeguar Halili.
Ajo ka theksuar se ndryshimet në lartësinë e kafshimit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në nyjën e nofullës, duke shkaktuar dhimbje që pacientët shpesh i përshkruajnë si shqetësime në zonën e veshit.
“Çdo ndryshim në uljen ose ngritjen e tij jep dhimbje direkte në artikulacion. Pacientët, kur vijnë pasi kanë marrë një punim protetik, thonë se kanë dhimbje vazhdimisht në pjesën e veshit”, ka deklaruar ajo.
Specialistja ka sqaruar se këto shqetësime mund të jenë pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur në mënyrën se si takohen dhëmbët gjatë kafshimit.
“Një pikë më e lartë e kafshimit ndikon në dhimbje të nyjës dhe në dhimbje të kokës”, ka theksuar Halili.
Sipas saj, rikthimi i kafshimit në pozicionin e duhur kërkon kujdes të veçantë profesional dhe kohë gjatë trajtimit stomatologjik.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com

