Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin për caktimin e një muaji paraburgim ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Lajmi është konfirmuar nga Gjykata e Apelit, e cila në një përgjigje për media më 23 tetor ka bërë të ditur se ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, transmeton lajmi.net.
“Ju konfirmojmë se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, të datës 14.10.2026”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Rasti lidhet me një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci, të cilin, sipas raportimeve të mëhershme, Gani Geci dyshohet se i kishte kërkuar gazetarit Mehmetaj ta ndryshonte ose ta largonte.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur më 11 tetor, në zyrat e Vox Kosova, ndërsa gazetari e kishte raportuar rastin në polici një ditë më vonë.
Në kuadër të rastit, Prokuroria kishte përmendur edhe qëndrimin e Gani Gecit për rreth dy orë pranë televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në emisionin “Debat Plus”.
Më 14 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar Gecit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, vendim që tashmë është vërtetuar edhe nga Apeli./lajmi.net/

