Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 të shkallës Rihter ka goditur rajonin e Tibetit në Kinë, duke lënë të paktën 16 persona të vdekur dhe 54 të tjerë të lënduar, raportojnë mediat zyrtare kineze, transmeton Klankosova.tv.
Lëkundjet e forta sizmike u regjistruan të enjten në orën 22:33 sipas kohës lokale, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra ishte rreth 191 kilometra në lindje-verilindje të qytetit verior Nagqu, në një zonë malore me dendësi të ulët banorësh, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Transmetuesi shtetëror kinez CCTV njoftoi se ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur këtë rajon gjatë pesë viteve të fundit.
Pasojat në infrastrukturë raportohen të jenë të rënda, nga vlerësimet e para të zyrës lokale të emergjencave në Nagqu, të paktën 339 banesa dhe 20 stalla bagëtish janë rrafshuar tërësisht, ndërsa qindra struktura të tjera kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme.
Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për mobilizim të menjëhershëm të të gjitha kapaciteteve në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe për sigurimin e ndihmës mjekësore për të plagosurit.
Më shumë se 1,600 trupa shpëtimi ndodhen tashmë në terren duke kërkuar nën rrënoja.
Për shkak të temperaturave mjaft të ulëta që mbizotërojnë në këtë zonë malore, autoritetet kanë nisur dërgimin e furnizimeve emergjente, 3,000 tenda, 1,000 njësi banimi të parafabrikuara, krevate të palosshëm dhe veshje të trasha dimërore për banorët e mbetur pa strehë mbi kokë.
Operacionet e kërkimit dhe evidentimit të dëmeve po vijojnë me intensitet të lartë.

