Palestinezët në Rripin e Gazës, tashmë të shkatërruar nga lufta, rrallë ndihen të sigurt.
Madje, edhe kur qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe në lagje nuk ka sulme.
Rrezik për ta janë edhe gërmadhat nën të cilat frymojnë, raporton Klan Kosova.
Lufta shumëvjeçare mes Izraelit dhe grupit militant Hamas, bombardimet intensive ajrore të Izraelit dhe ofensiva tokësore, shkatërruan pjesë të mëdha të kësaj enklave të vogël.
Por edhe ndërtesat që ende qëndrojnë në këmbë janë të paqëndrueshme. Ata s’kanë nga t’ia mbajnë.
Riyad Ramadan, 68-vjeç nga Gaza, thotë se e vetmja mundësi që familjes së tij pesëanëtarëshe që u ka mbetur është të rrezikojnë jetën, ndonëse gjatë bombardimeve në afërsi, nga tavani i shtëpisë bien herë pas here gurë.
Ekipet e Mbrojtjes Civile kanë vendosur tabela paralajmëruese në ndërtesat pjesërisht të shembura, duke u bërë thirrje banorëve që kërkojnë strehim të qëndrojnë larg tyre për sigurinë e tyre.
Megjithatë, disa banorë thonë se preferojnë të rrezikojnë duke qëndruar në këto ndërtesa, në vend që të flenë në rrugë, mes minjve. /Klankosova.tv

