Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se të enjten pasdite, në Shën Stefan, është takuar me Lord Wood of Anfield, nënsekretar parlamentar i shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike.
Kurti ka bërë të ditur se takimi është pjesë e dialogut të vazhdueshëm me Mbretërinë e Bashkuar, duke përmendur edhe kontaktet e fundit me të dërguarën e posaçme britanike për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Ai ka treguar se gjatë dy muajve të fundit ka zhvilluar dy biseda me Piercen: një në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York dhe një tjetër përmes telefonit nga Prishtina.
Sipas Kurtit, gjatë bisedës telefonike, Pierce i kishte përcjellë edhe urimet e kryeministrit britanik, Burnham, për zgjedhjen e presidentes së Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe në çdo etapë të zhvillimit tonë, nga çlirimi dhe pavarësia deri te demokracia e sotme, dhe mbetet ndër zërat më të fuqishëm për integrimin tonë euroatlantik”, shkroi Kurti.
Ai ka theksuar se, me institucionet plotësisht funksionale, Kosova është e përqendruar në reforma dhe zhvillim, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe.
Sipas tij, fushat e bashkëpunimit përfshijnë mbrojtjen dhe organizimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”. /Zëri
