Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se Moska është e gatshme të rifillojë muajin e ardhshëm bisedimet e ndërmjetësuara nga ShBA-ja për konfliktin në Ukrainë, duke këmbëngulur se qëllimi duhet të jetë një marrëveshje e plotë paqeje dhe jo një pezullim i përkohshëm i luftimeve.
Deklarata e kreut të Kremlinit vjen pas takimit me emisarit amerikan Steve Witkoff. Putin theksoi se negociatat e ardhshme duhet të garantojnë siguri të ndërsjellë dhe të përfshijnë arkitekturën e përgjithshme të sigurisë evropiane, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Në anën tjetër, edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar gatishmërinë e Kievit për t'u ulur në tryezë në fillim të muajit të ardhshëm.
Megjithatë, pengesë kryesore mbetet çështja e kufijve: Putin vijon të kërkojë dorëzimin e plotë të Donbasit me pretendimin se është "tokë historike ruse", kërkesë kjo e refuzuar kategorikisht nga Ukraina.

