KORREKT / SOT23 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë

Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa ka vlerësuar se Kuvendi nuk duhet ta rihapë në tërësi ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula.

Cakolli në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Komisioni për Legjislacion ka katër javë kohë për ta përgatitur raportin dhe për ta dërguar ligjin në seancë, por se ende nuk është e qartë se si do të zhvillohet procedura e mëtejshme, pasi Rregullorja e Kuvendit nuk i përcakton qartë të gjitha hapat për ndryshimin e tij.

“Në radhë të parë, menjëherë pasi që presidentja e ka dërguar, pra shkresen përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, kjo nënkupton që tashmë çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe një shumice më të ndryshme sesa paraprakisht. Albulena Haxhiu në cilësinë e kryetares së Kuvendit është obliguar që, nëse nuk e ka bërë dot dje, gjatë ditës së sotme t’ja përcjellë këtë vendim në radhë të parë gjithë deputetëve dhe Komisionit për Përgjegjësi Parlamentare, që në rastin e tanishëm është Komisioni për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë vendimin e presidentës. Pra, në radhë të parë të shihet nëse presidentja ka përmendur nene specifike në kuadër të projektligjit, të cilat ajo i konsideron ose problematike, ose në dëm të interesave të Kosovës, apo nëse e konsideron që ndonjë prej fazave përkatëse që lidhet me procesin ligjvënës nuk është respektuar në bazë të Kushtetutës, obligimeve ndërkombëtare dhe të tjera”, tha ai.

Cakolli ka shpjeguar se pas shqyrtimit të vendimit të presidentes, Komisioni për Legjislacion duhet t’i paraqesë Kuvendit një raport brenda katër javësh, ku do të rekomandohet mënyra e procedimit të mëtejshëm të ligjit.

“Pastaj Komisioni për Legjislacion ka një afat kohor prej katër javësh, brenda së cilit është i obliguar që t’ia paraqesë Kuvendit për seancë një raport mbi të cilin vlerëson se si duhet proceduar tutje me projektligjin. Pra, ndonëse rregullorja e re nuk ka dispozita edhe aq të qarta siç ka pasur ajo paraprake për mundësinë e ndryshimit të ligjit, është e nënkuptueshme që Komisioni për Legjislacion mund të nxjerrë dy lloje të raportit praktikisht”, tha ai.

Sipas tij, njëra mundësi është që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ndërsa alternativa tjetër është që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse.

“E para është që të konstatohet që Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentës, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit, ose mund të rekomandojë përkatësisht të propozojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe që të njëjtat të inkorporohen në ligj”, tha Cakolli.

Ai ka shtuar se, në rast se vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes.

“Edhe pse rregullorja nuk e parasheh procedurën se si duhet të shkojë amandamentimi tutje i ligjit, unë besoj që kjo duhet të bëhet në përputhje me rregulloren sa i përket çështjeve të tjera që ndërlidhen me amandamentimin e ligjit, në mënyrë që kur ligji i ri t’i shkojë presidentës për shpallje, i njëjti të mos i ketë problematika që veçse supozohet që i njëjti mund t’i ketë”, tha ai.

Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke theksuar se duhet të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e PDK-së, e cila ishte sponsorizuese e nismës.

“Tash, sa i përket çështjes se çfarë mund të ndryshojë në ligj, unë besoj që në radhë të parë ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo çfarë ngjau atje. Në radhë të parë për shkak se presidenca deklaroi që ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë edhe sponsorizuese e ligjit njëkohësisht, dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent dhe me nguti të projektligjit, por kjo pastaj ngriti dilemën se a ka qenë ky vlerësim i presidentës në këtë rast mbi përmbajtjen e ligjit, apo vetëm kërkesë e një pale, sepse kjo i bie që, nëse PDK-ja nuk do ta kishte bërë kërkesën për ta tërhequr ligjin, presidenca do të mund ta kishte dekretuar atë sot në mesnatë ose i njëjti do të kishte hyrë në fuqi edhe pa dekret, që pastaj ngriti dilemën se a ka në të vërtetë presidenca probleme me përmbajtjen e ligjit, apo thjesht e ka noterizuar një kërkesë të sponsorizuesve të ligjit në këtë rast, që në të dy variantet është situatë problematike”, tha ai.

Hulumtuesi i KDI-së ka kritikuar gjithashtu PDK-në për qëndrimin e saj ndaj ligjit, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e tij me nguti, ndërsa tani ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e dispozitave të caktuara.

“Në anën tjetër, sa i përket vetë Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka qenë hartuese, ka tentuar të marrë kredite edhe për miratimin, dhe tashmë edhe për rikthimin e ligjit, kjo është një situatë, unë besoj, e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua që të miratohet me nguti, derisa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen, por që të njëjtat është dashur, konsideroj, të bëhen gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër me rëndësi, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe në raport me obligimet ndërkombëtare që Kosova ka si partner ndërkombëtar, e posaçërisht këtu në raport kështu me BE-në”, tha ai.

Cakolli ka theksuar se, pas kthimit të ligjit, mund të propozohen ndryshime, por se ato duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara nga presidentja. Sipas tij, përdorimi i këtij mekanizmi për të bërë ndryshime të përgjithshme në ligje do të mund të krijonte precedent të gabuar.

Ai ka rikujtuar se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij.

“Megjithatë, ajo çfarë ka rëndësi, që më presidentja nuk ka të drejtë ta rikthejë të njëjtin ligj, pra pavarësisht vendimit të Kuvendit, nëse i njëjti do të votohet duke e mbivotuar veton e presidentës, ose nëse do të ndryshojë, presidentja më nuk ka të drejtë ta rikthejë ligjin dhe në momentin e miratimit të ligjit, kurdo që kjo do të ndodhë brenda këtij afati katërjavor, më nuk ka të drejtë ta rikthejë ligjin, por ai konsiderohet i shpallur si i tillë”, tha ai.

Ai ka vlerësuar se ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes edhe për shkak të rrezikut që ligji të dërgohet për shqyrtim kushtetues në Hagë.

“Unë konsideroj që janë dy çështje me rëndësi: e para, secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimit të ligjit për dhomat e specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që i njëjti të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje në një mënyrë apo tjetrën. Dhe unë besoj që çfarëdo ndryshimi që do të bëhej në këtë moment, për sa kohë që do të ishte plotësisht në harmoni me Kushtetutën dhe të tjerat, nuk do të kishte asnjë efekt praktik, që është edhe kjo një situatë paradoksale. Andaj do të shihet gjatë katër javëve në vijim, pra mos e vononi deri më 20 nëntor, se si do të procedohet tutje, cila do të jetë pika që do të ndryshohet dhe cili do të jetë qëndrimi i partive, sepse në fund të fundit tashmë shumica është më e kualifikuar, pra nuk nevojiten vetëm votat e shumicës së deputetëve të pranishëm, por duhet të jenë të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji i ri të miratohet në fund”, tha Cakolli.

Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.

Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin.

PDK-ja ka thënë se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit. 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.