KORREKT / SOT23 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Copëtimi i botës mes Trumpit, Putinit dhe Xi-së në një Jaltë 2.0 është një ide e tmerrshme

Copëtimi i botës mes Trumpit, Putinit dhe Xi-së në një Jaltë 2.0 është një ide e tmerrshme

Samiti i propozuar rrezikon t’i bëjë jehonë takimit të vitit 1945 në Krime që e ndau Evropën mes sferës demokratike dhe asaj komuniste.

Nga: Brendan Simms, profesor i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk ka fjalë në Evropën Lindore që ka më shumë gjasa të shkaktojë reagim sesa Jalta, emri i resortit në Krime ku Tre të Mëdhenjtë – Churchilli, Stalini dhe Roosevelti – u takuan për të diskutuar të ardhmen e Evropës në shkurt të vitit 1945, teksa Rajhu i Tretë ishte në grahmat e fundit. Pikërisht atje presidenti amerikan dhe kryeministri britanik u pajtuan me kërkesat territoriale të Bashkimit Sovjetik – në veçanti me aneksimin e një pjese të madhe të Polonisë së paraluftës, si dhe me këmbënguljen e Stalinit për një sferë ndikimi në Evropën Lindore.

Jalta vulosi ndarjen e kontinentit në një Perëndim (kryesisht) demokratik dhe një Lindje komuniste. Edhe pse një pjesë e madhe e kësaj veçse kishte nisur deri në kohën e konferencës dhe shumëçka ndodhi më pas në Potsdam, “Miti i Jaltës” është një mënyrë e duhur dhe e shkurtër për t’iu referuar procesit përmes të cilit diktatura sovjetike përfshiu gjysmën e Evropës.

Ai takim i tmerrshëm të vjen ndër mend kur mendon për samitin e propozuar mes Trumpit, Xisë dhe Putinit. Ky takim – ku, me sa duket, nuk do të përfshihen as Ukraina dhe as evropianët – nuk ka precedent të kohëve të fundit. Disa druhen se këta tre burra do ta ndajnë botën mes vete, duke i dhënë Putinit pjesët e Donbasit të cilat ai ende nuk i kontrollon, duke i dhënë Xisë dorë të lirë ndaj Tajvanit dhe Trumpit disa xhingla energjetike të cilat ai shpreson t’i shndërrojë në përfitim elektoral në zgjedhjet e ndërmjetme për Kongres në fillim të nëntorit. Fakti që Jalta ndodhet aktualisht në Ukrainën e pushtuar nga Rusia, vetëm sa e shton fyerjen mbi dëmin.

Frika nga një “Jaltë e re” nuk është e pabazë. Trumpi sigurisht që dëshiron të heqë qafe luftën në Ukrainë dhe përbuzja e tij për presidentin Zelensky është e njohur. Që në fillim të presidencës së tij të dytë, në shkurt të vitit 2025, zyrtarët amerikanë e zhvilluan një samit me Rusinë për të diskutuar Ukrainën – nga i cili ukrainasit ishin përjashtuar – ndonëse pa praninë e Republikës Popullore të Kinës (RPK). Dhe, ashtu siç kishte plot idiotë të dobishëm në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara që çmonin “Xha Xhoin” [Stalini] dhe regjimin e tij totalitar, ka më se mjaftueshëm njerëz në administratën Trump të cilët e konsiderojnë Rusinë vrastare të Putinit si një lloj partneri “qytetërues”. Ata sigurisht e konsiderojnë Ukrainën si të parëndësishme.

Megjithatë, ka arsye të forta pse një “Jaltë 2.0” ka pak gjasa të ndodhë dhe, edhe nëse ndodh, pse ndoshta nuk do të vihet në zbatim. Synimi kryesor i deklaruar i Trumpit në samit nuk ka të bëjë me Ukrainën, madje as me naftën dhe gazin, por me çarmatimin bërthamor. Presidenti ka pasur, që nga vitet ’80 të shekullit XX, një frikë nga lufta atomike – që kryesisht ka kaluar pa u vënë re – dhe dihet se ai është i shqetësuar jo vetëm për rreth gjashtë mijë kokat e frikshme bërthamore të Rusisë dhe kërcënimet e shfrenuara bërthamore të Putinit, por edhe për rritjen e heshtur të arsenalit të Kinës gjatë viteve të fundit. Për dekada, RPK-ja ishte mjaftuar me rreth 300 koka bërthamore – jo shumë më tepër se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar – por, tani ka më shumë se 600, ndërsa janë planifikuar edhe shumë të tjera. Trumpi dëshiron ta ndalë ose madje ta përmbysë këtë prirje, por nuk ka asnjë arsye pse Xi duhet t’ia plotësojë këtë dëshirë.

Për më tepër, si Putini ashtu edhe Xi, do t’i qasen çdo samiti të tillë me dyshim të skajshëm. Moska kënaqet me mungesën e respektit që Trumpi shpreh ndaj Ukrainës, por e di se administrata Trump – deri tash së voni – ia ka bërë jetën shumë më të vështirë nga sa e kuptojnë shumë njerëz, që nga rritja e mbështetjes së inteligjencës për Ukrainën (deri së fundmi), shtrëngimi i sanksioneve ndaj naftës dhe rritjet masive të shpenzimeve evropiane për mbrojtjen për të cilat Trumpi është në masë të madhe përgjegjës. Deri tani, të paktën, është përpjekur të manovrojë mes Moskës dhe Pekinit në vend që të bashkëpunojë me ta, ndaj të dy kryeqytetet do të jenë shumë të kujdesshme ndaj çdo përpjekjeje për ta vënë njërin kundër tjetrit.

Përveç kësaj, marrëveshja në kurriz të Ukrainës nuk do të thotë se ai vend do të hidhet automatikisht në sferën ruse të ndikimit. Ndryshe nga Polonia në vitin 1945, Ukraina, në pjesën më të madhe, nuk është e pushtuar nga Putini dhe gjasat e tij për ta mposhtur atë vend në afat të shkurtër janë të pakta – edhe nëse Amerika ndërpret gjithë mbështetjen e inteligjencës. Ajo nuk është më një zonë tampon mes Lindjes dhe Perëndimit, një objekt me të cilin Fuqitë e Mëdha mund të bënin si të donin. Ukraina sot është subjekt i plotë më vete – shumë më i fuqishëm se shumica e vendeve evropiane – dhe çdo zgjidhje do të duhet ta marrë parasysh këtë fakt. E njëjta edhe sa i përket Kinës – Tajvani nuk është fitore e lehtë ushtarake që shumë njerëz përfytyrojnë.

Në Jaltë, Churchilli dhe Roosevelti të paktën mund të pretendonin se kishte disa rrethana lehtësuese. Ata kishin zhvilluar një luftë të gjatë kundër Gjermanisë naziste dhe Rusia e Stalinit ishte aleatja e tyre ushtarake. Territoret nga të cilat hoqën dorë tashmë ishin në pjesën më të madhe nën kontrollin sovjetik. Asgjë nga këto nuk vlen aktualisht për Rusinë, Kinën dhe Ukrainën, prandaj çfarë justifikimi ka Trumpi sot? /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.