Kompania “Pastrimi” ka bërë thirrje për kujdes gjatë hedhjes së mbeturinave në kontejnerë, pasi mbeturinat e tilla mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve që merren me grumbullimin e tyre.
Në një njoftim të përcjellë nga një qytetare, bëhet e ditur se sot, rreth orës 20:00, dy persona me një kamionetë kanë hedhur mbeturina inerte në kontejnerët e mbeturinave në rrugën “Ukshin Kovaçica”, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit, mbeturinat e hedhura përfshijnë xhama, të cilët mund të shkaktojnë lëndime dhe prerje te punëtorët gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Për këtë arsye, është kërkuar që qytetarët të mos hedhin xhama dhe mbeturina të rrezikshme në kontejnerët e zakonshëm, por të kujdesen për mënyrën e duhur të trajtimit të tyre. / Klankosova.tv

