Piktura “Iris”, një vepër monumentale e realizuar nga Claude Monet në fund të jetës së tij, u shit sot për 50 milionë euro, përfshirë komisionet e ankandit.
Sipas shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s” ajo bëhet vepra e artit më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand në Francë.
Piktura e mjeshtrit të impresionizmit u prezantua për herë të parë për publikun, ndërsa vlera e saj para ankandit ishte vlerësuar nga 22 deri në 30 milionë euro.
Vepra ka përmasa 1,60 metra e lartë dhe 1,80 metra e gjerë dhe nuk ishte larguar kurrë nga rezidenca private e familjes Schlumberger në Paris.
Deri më tani, ajo njihej vetëm përmes një fotografie bardhezi.
“Iris” ishte blerë nga Jeanne Schlumberger (1889–1983), një koleksioniste e njohur arti, drejtpërdrejt nga familja e piktorit.
Sipas “Sotheby’s”, vlerësimi paraprak i veprës ishte më i larti i dhënë ndonjëherë për një pikturë të nxjerrë në ankand në Francë.
Ndërkohë, tri piktura të Paul Cezanne, të klasifikuara si “thesare kombëtare”, u tërhoqën nga ankandi vetëm pak orë para fillimit të tij.
Vendimi lidhet me mundësinë e rikthimit të veprave në qytetin e lindjes së artistit, Aix-en-Provence, ku bashkia, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, po shqyrton blerjen e tyre për muzeun ”Granet”.
Një tjetër ankand u zhvillua sot nga shtëpia “Christie’s”, ku u shitën 26 vepra arti.
Mes tyre, piktura e Claude Monet “Bord des falaises à Pourville” arriti 12,7 milionë euro, ndërsa “Trois pots de tulipes” u shit për 3,1 milionë euro.
Vepra e Pierre-Auguste Renoir “Jeunes filles au bord de la mer” u shit për 5,8 milionë euro, ndërsa “Nature morte au gruyère” e Pablo Picasso-s arriti 3 milionë euro.
Vlera e përgjithshme e shitjeve në ankandin e Christie’s arriti në 41,6 milionë euro, përfshirë komisionet. “Sotheby’s”, me seli në Shtetet e Bashkuara, dhe “Christie’s”, me origjinë britanike, janë dy nga shtëpitë më të mëdha të ankandeve të artit në botë./atsh

