KORREKT / SOT23 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Prishtina i detyron mësuesit të qëndrojnë 8 orë në shkollë, SBASHK-u e kundërshton

Prishtina i detyron mësuesit të qëndrojnë 8 orë në shkollë, SBASHK-u e kundërshton

Kjo është kontrata që një mësimdhënës i ri e mori nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë.

Në bazë të kësaj kontrate të siguruar nga Tëvë 1, në vend të 20 orëve në shkollë dhe 20 jashtë klasës, ky punëtor i arsimit duhet të bëjë 40 orë në javë në institucion.

E në këtë formë deri në fund të nëntorit do të punojnë edhe mësimdhënësit të cilët kanë kontratë me afat të pacaktuar.

Kjo pasi Drejtoria e Arsimit është duke i ndryshuar kontratat për të gjithë punëtorët, gjë që i detyron ata të qëndrojnë 8 orë në shkollë.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.

“Sa kam informacion, do të rregullohet numri i orëve. Ka qenë 20+20, duhet me rregullu orarin e qëndrimit, të angazhimit në institucion. Edhe mësimdhënësit e rinj që janë pranuar së fundmi, këta i kanë marrë kontratat e reja, ashtu siç është thënë, ndërsa për mësimdhënësit e vjetër që kanë kontrata me afat të pacaktuar, afati për ndryshimin e tyre është data 30 nëntor”, thotë ai.

Këto ndryshime madje janë mirëpritur nga ky drejtor.

“Është një gjë e mirë, pasi në njëfarë mënyre e lehtëson punën e organizimit të brendshëm të shkollës, ku kohët e fundit është krijuar një lloj pabarazie në sistemin arsimor, ku kemi mësuese që janë të angazhuara në mësimin tërëditor, që qëndrojnë deri në orën 14 ose 15 në shkollë, dhe kemi mësuese që e përfundojnë mësimin në orën 13:30”, shprehet Osmani.

Por një gjë të tillë është duke e kundërshtuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e cila ka bërë thirrje që të mos nënshkruhen kontratat e reja.

“Të gjithë mësimdhënësit të cilët kanë kontrata valide me afat të pacaktuar, mos të nënshkruajnë kontratat e reja dhe se këto kontrata të cilat janë bërë nuk janë bërë as në bazë të udhëzimit administrativ të ligjit i cili është në fuqi, por në të njëjtën kohë nuk janë negociuar fare nga SBASHK-u. Andaj, nëse është e nevojshme të bëhet një dokumentacion i ri, natyrisht që SBASHK-u nuk është kundër atij, mirëpo duhet të bëhet në bazë të udhëzimit administrativ”, thotë Vjollca Shala nga SBAShK.

Nga kjo sindikatë kërkojnë që të ketë një kontratë unike për të gjitha shkollat në Kosovë.

“Kjo është në kundërshtim me vetë Ligjin e Punës, ngase dihet që me Ligjin e Punës janë të përshkruara shumë mirë detyrat dhe përgjegjësitë e punëtorëve të arsimit dhe, në të njëjtën kohë, edhe orari i punës. Gjithashtu janë të përcaktuara edhe pushimet, kështu që punëtorët, mësimdhënësit, kanë 20 orë punë, por i kanë edhe 20 orë të tjera për punët që duhet të kryejnë brenda javës”, shprehet Shala.

Tëvë 1 ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, por i njëjti nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.