KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Veprat e Van Gogh-ut prezantohen në Prishtinë në një ekspozitë imersive ku pikturat përjetohen përtej kornizave

Veprat e Van Gogh-ut prezantohen në Prishtinë në një ekspozitë imersive ku pikturat përjetohen përtej kornizave

Për herë të parë në Kosovë, u prezantuan veprat e Vincent van Gogh-ut në një format inovativ, larg mënyrës tradicionale të ekspozimit të pikturave në mure.

Përmes një përvoje moderne dhe imersive, vizitorët kanë mundësi jo vetëm ta shohin artin e post-impresionistit të njohur holandez, por edhe ta përjetojnë atë në një dimension krejtësisht tjetër përmes ekspozitës imersive në hapësirat e Deep Space Prishtina.

Ekspozita e Van Gogh-ut do të jetë e hapur nga 20 tetori deri më 3 nëntor, një ekspozitë ku arti, teknologjia dhe muzika ndërthuren për të krijuar një përvojë të veçantë për publikun.

Në këtë ekspozitë prezantohen veprat e famshme të post-impresionistit holandez, i njohur për stilin e tij të veçantë, ngjyrat intensive dhe mënyrën unike të paraqitjes së botës përmes pikturës.

Përmes projeksioneve dhe efekteve vizuale, veprat shfaqen në përmasa të mëdha, duke krijuar ndjesinë sikur vizitorët ndodhen brenda një pikture.

Përvoja shoqërohet edhe me muzikë, duke i dhënë publikut mundësinë ta përjetojë artin përmes disa shqisave dhe ta shohë krijimtarinë e artistit nga një këndvështrim ndryshe nga ai i ekspozitave tradicionale.

Ekspozita vjen në kuadër të Prishtina Music Conference, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

“Është e mahnitshme ta shohim këtu dhe gjithashtu të shohim reagimin e njerëzve që po e shikojnë dhe sa entuziastë janë. Puna e Van Gogh-ut vlerësohet shumë përtej brezave dhe kufijve, kështu që mendoj se është vërtet një forcë lidhëse, ashtu siç mund të jenë arti dhe kultura, për t’i bashkuar njerëzit. Kjo është pikërisht ajo që shpresojmë të arrijmë edhe këtu”, ka thënë për Telegrafi.com, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Astrid de Vries.

Foto: Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Astrid de Vries / Telegrafi.com

De Vries, e cila është emëruar së fundmi në këtë detyrë në Kosovë, ka ndarë gjithashtu përshtypjet e saj të para për vendin, duke veçuar mikpritjen e njerëzve, kafenë dhe mundësinë për të zbuluar çdo ditë diçka të re rreth kulturës vendase.

“Kosova është shumë mikpritëse. Njerëzit janë shumë të lumtur të të shohin. Ushqimi është shumë i shijshëm. Kafeja është e mrekullueshme, vërtet fantastike. Dhe ajo që më pëlqen shumë është se zbuloj diçka të re çdo ditë”, ka potencuar de Vries.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar rëndësinë e sjelljes së kësaj përvoje artistike në kryeqytet, duke ftuar qytetarët dhe vizitorët që ta shfrytëzojnë mundësinë për të parë nga afër një formë të re të prezantimit të artit.

“Kjo është një bashkëpunim mes Kryeqytetit dhe Ambasadës së Holandës, ku sot vizitorët kanë mundur t’i përjetojnë punët e Van Gogh-ut, një artist me famë botërore i fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që ka krijuar punime fantastike. Sot puna e tij prezantohet këtu, në këtë Deep Space, pra në hapësirën të cilën e kemi krijuar si bashkëpunim me Linzin, qytetin e Linzit në Austri, me Ars Electronica, dhe me Future Museum, ku, para dy vitesh, nga vizita ime atje, kemi dashur me e pru atë eksperiencë edhe te qytetarët e kryeqytetit dhe te të gjithë vizitorët”, ka theksuar Rama.

Foto: Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama / Telegrafi.com

“Sot i ftoj të gjithë vizitorët që të vijnë dhe ta shohin këtë ekspozitë të artit, immersive experience, domethënë një eksperiencë që shkon përtej vetëm pikturës. Ndërlidhet edhe me senset tjera, pra është eksperiencë multisensore, ku edhe e shohim punën e Van Gogh-ut në një dimension tjetër, në një dimension të ri, të papërjetuar më parë”, potencoi ai mes tjerash.

Në anën tjetër,, Kushtrim Dushi nga Deep Space Prishtina ka folur për punën që i parapriu realizimit të ekspozitës, bashkëpunimin me Ambasadën e Holandës dhe synimin për të sjellë në kryeqytet një përvojë të veçantë kulturore.

“Ideja se si ka lindur dhe si erdhi ekspozita e Van Gogh-ut në Prishtinë ka qenë në lidhje me Ambasadën e Holandës, një bashkëpunim që e kemi goxha të gjatë me Ambasadën e Holandës por prej një personi kyç që është Diellza, që ka qenë edhe ideja e saj fillimisht, ku kemi filluar dhe kemi punuar goxha gjatë për të sjellë diçka pak më unike në Prishtinë”, ka thënë Dushi për Telegrafin.

Duke folur për veçantinë e kësaj hapësire dhe për mënyrën se si publiku do t’i përjetojë veprat, Dushi ka theksuar se ekspozita ofron një qasje ndryshe nga format tradicionale të prezantimit të artit.

Foto: Kushtrim Dushi nga Deep Space Prishtina / Telegrafi.com

“Deep Space-i është njëra prej gjashtë hapësirave në botë të ngjashme. Vizitorët, çka kanë me pa, nuk kisha zbulu shumë, për shkak se janë veprat normal të Van Gogh-ut, po dihet prej emrit. Por është diçka pak më ndryshe, siç jemi mësuar me pa me naj ekspozitë tjetër”.

Dushi ka ftuar gjithashtu të gjithë të interesuarit që ta vizitojnë ekspozitën gjatë ditëve në vijim, duke rikujtuar se ajo do të qëndrojë e hapur për dy javë.

“Veç i ftoj ata që kanë menduar me ardhë ose veçse i kanë blerë biletat normal. Kjo ekspozitë ka me qenë e hapur dy javë, nga sot, 20 tetor, deri më 3 nëntor. Ajo që e dallon këtë ekspozitë prej ekspozitave të tjera është që ekspozita është imersive, në një hapësirë si Deep Space, ku kanë me mujt me i pa veprat e Van Gogh-ut pak më afër se ç’jemi mësuar me i pa realisht”, potencoi ai.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.