Greqia dhe Egjipti po diskutojnë zgjerimin e Zonës së tyre Ekskluzive Ekonomike drejt lindjes, në drejtim të Qipros, pasi parlamenti i Libisë lindore ratifikoi një marrëveshje detare të kontestuar me Turqinë në fillim të kësaj jave, bëri të ditur ministri i Jashtëm i Greqisë.
Greqia, Egjipti dhe Qiproja e kanë kundërshtuar prej kohësh marrëveshjen detare midis Turqisë dhe Libisë, duke argumentuar se ajo cenon pretendimet e tyre detare në Mesdheun lindor, transmeton Klankosova.tv.
Çdo zgjerim i marrëveshjes midis Greqisë dhe Egjiptit do të ishte plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), deklaroi ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, në platformën X.
Sipas Reuters, Gerapetritis dhe ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, riafirmuan gjithashtu kundërshtimin e tyre ndaj ratifikimit, nga ana e Libisë lindore, të memorandumit detar të vitit 2019 midis Turqisë dhe Libisë, duke theksuar se mbeten të përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe UNCLOS-it.
Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje në vitin 2020 për përcaktimin e një Zone Ekskluzive Ekonomike në Mesdheun lindor.

