Federata e Futbollit të Kosovës e ka publikuar orarin e ndeshjeve të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Pesë ndeshjes e kësaj xhiroje do të luhen brenda tri ditësh.
Dueli i parë do të zhvillohet të premten (nesër) duke filluar prej orës 18:00, ndërsa do të ballafaqohen Gjilani me Llapin.
Të përzgjedhurit e trajnerit Zekirija Ramadani do ta tentojnë fitoren e tretë radhazi, kurse përballë e kanë njërën prej skuadrave më në krizë – atë të Tahir Batatinës.
Të shtunën do të luhen dy ndeshje, e të dielën dy të tjera.
Të shtunën Ballkani nga ora 14:00 dhe Malisheva nga ora 18:00 synojnë fitore në udhëtimet e tyre ndaj Vushtrrisë, respektivisht Drenicës.
Por, edhe skuadrat vendëse do ta japin edhe atomin e fundit për të nxjerrë pikë nga duelet respektive.
E të dielën, nga ora 13:00 Feronikeli 74 do ta ketë përballë ekipin në formë – Dukagjinin, me dy skuadrat që do t’i kërkojnë tri pikët.
Kurse, derbi i kësaj xhiroje mes Prishtinës dhe Dritës do të luhet të dielën nga ora 13:00 në Kampin Nacional në Hajvali.
Prishtinasit janë treguar mjaft të fuqishëm në këtë sezon dhe prijnë në tabelë, prandaj edhe duan ta vazhdojnë serinë e pamposhtmërisë.
Kurse, gjilanasit vijnë po ashtu nga një formë solide dhe të këndellur, andaj edhe ata synojnë pikë në këtë udhëtim të vështirë. /Zëri
