Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar këtë të enjte në Shën Stefan, në Mal të Zi, me kancelarin federal austriak, Christian Stocker, me të cilin ka diskutuar për prioritetet e Qeverisë së re dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në fushën e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, ku, sipas tij, kompanitë austriake dhe diaspora kosovare po investojnë gjithnjë e më shumë.
Kurti ka përmendur edhe procesin e integrimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke thënë se është përmbushur edhe kushti i fundit përmes miratimit të tërësisë së ligjeve të nevojshme.
“Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti”, tha Kurti.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu e mbështet deklaratën e Kancelarit Stocker se “Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte”.
“Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, u shpreh Kurti.
Postimin, kryeministri e ndërlidhi me rezultatet mes Kosovës dhe Austrisë në futboll. “Pas 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, po afrohemi edhe në futboll”, përfundoi Kurti. /Klankosova.tv

