KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Arsyetimi i Apelit për konfirmimin e aktakuzës ndaj Damkës e Kamberajt: Ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprat penale

Arsyetimi i Apelit për konfirmimin e aktakuzës ndaj Damkës e Kamberajt: Ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprat penale

Gjykata e Apelit përmes vendimit të 21 tetorit 2026, e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte rrëzuar aktakuzën për korrupsion ndaj Fikrim Damkës- zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik dhe Besim Kamberajt- ish-ushtrues i detyrës së sekretarit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Kështu, Apeli konfirmoi aktakuzën në fjalë, duke konstatuar se nga provat e paraqitura në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ka dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale të korrupsionit.

Fillimisht, Themelorja kishte aprovuar kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe për hudhjen e aktakuzës, duke konstatuar ndër të tjera se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndaj vendimit të Themelores, kishte ushtruar ankesë Prokuroria Speciale, duke kërkuar që të vazhdohet procedura me zhivillimin e gjykimit. Kurse, përgjigje në ankesën e PSRK-së, kishin paraqitur mbrojtja e Damkës dhe Kamberajt.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit:

Sipas vendimit të Apelit, Themelorja u lëshua në vlerësimin përfundimtar të provave dhe si rrjedhojë, ka vendosur të hudh aktakuzën e që në fazën e kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, sipas Apelit, Themelorja është dashur të kufizohet në vlerësimin e provave.

Apeli në vendim ka thënë se përmes kësaj qasjeje, shkalla e parë ka tejkaluar kufijtë e vlerësimit që i takojnë kësaj faze të procedurës dhe se vlerësimi përfundimtar i provave janë çështje që gjykohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Më tej, sipas Apelit, aktakuza në këtë fazë mund të hudhet kur nga provat qartazi rezulton se mungon dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale, se provat nuk bindin një vëzhgues optik se është kryer vepra. Në të kundërtën, Apeli thotë se kur ekzistojnë prova si në rastin konkret, kërkohet më pas një vlerësim më i thellë dhe i mëtjeshmë i gjykatës gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Apeli ka thënë në vendim se për ta është e paqartë se mbi cilën bazë Themelorja ka hudhur aktakuzën dhe atë më konkretisht nuk dihet nëse ishte mbi bazën se aktakuza ka mungesë të provave, se veprimet e të akuzuarit nuk përbëjnë vepër penale apo se nga veprimet e të akuzuarit nuk përmbushen elementet e veprës penale.

Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, paqartësia se mbi cilën bazë Themelorja ka hudhur aktakuzën është tek faqja 9 e vazhdimi faqes 10 ku thuhet “…ka ardhur në përfundimin se nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si në aktakuzë“.

Ndërkaq sipas Apelit, në faqen 32 të aktvendimit shkruan “…për gjykatën veprimet e të akuzuarve nuk mund të konsiderohen si veprime inkriminuese”.

Sipas Apelit, ky konstatim i ndryshëm nga Themelorja e bën të paqartë se mbi cilën bazë është hedhur aktakuza.

Aty thuhet se përmbajtja e disa prej provave që gjenden në shkresat e lëndës janë interpretuar në mënyrë të pasaktë.

Konkretisht, sipas vendimit të Apelit, në faqen 12 të aktvendimit të Themelores është theksuar se “…nuk ka prova se Memorandimi i Bashkëpunimit ka krijuar në vetvete obligime financiare të menjëhershme dhe detyruese për buxhetin e Republikës së Kosovës pasi që Memorandumi është instrument bashkëpunimi dhe nuk përmban kontratë financiare”.

Por që, sipas Apelit, nga shkresat e lëndës shihet se në dy memorandumet përfshihen ankeset ku janë të përcaktuara kostot e projekteve pjesmarrëse në financim.

Sipas Apelit, nga provat e rastit, ekziston dyshimi se Damka si ministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZhR) dhe Kamberaj si ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në këtë Ministri, kanë tejkaluar detyrat dhe autorizimet zyrtare.

Kjo pasi që, sipas Apelit, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të OJQ “Germin” dhe “Caritasit Zviceran” si dhe shkaktimin e dëmit apo cenimin e të drejtave dhe interesave të personave të tjerë.

“…ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit, në cilësinë e personave zyrtarë, përkatësisht i akuzuari Fikrim Damka, si Ministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR), dhe i akuzuari Besim Kamberaj, si ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, kanë tejkaluar detyrat dhe autorizimet e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për OJQ-të “Gremin” dhe “Caritasit Zvicran”, si dhe të shkaktimit të dëmit apo cenimit të të drejtave dhe interesave të personave të tjerë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Po ashtu, në vendimin e Apelit theksohet se financimi i dy OJQ-ve të theksuara si më lartë për dy projektet, ishte realizuar nga MZhR përmes negocimit të drejtpërdrejtë të përmbajtjes dhe drafteve të Memorandumeve të Bashkëpunimit si dhe lidhjes së drejtëpërdrejtë të tyre pa zhvilluar procedurat përkatëse të thirrjes publike dhe në mungesë të transparencës së nevojshme.

Apeli ka theksuar edhe opinionin e Departamentit Ligjor të Minstrisë së Financave përmes të cilit i ishte bërë me dije MZhR-së që i ndalohet të hyjnë në obligime financiare përtej fondeve të ndara dhe alokuara.

Po ashtu, Apeli ka theksuar fakti se “Caritas-i Zviceran” ka financuar 60 për qind të kostos së projektit, nuk e përjashton detyrimin e MZhR për zbatimin e rregullave dhe procedurave për financimin e projekteve nga fondet publike.

Në fund të vendimit, Apeli ka theksuar se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale i plotëson të gjitha kushtet ligjore për të kaluar në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Vendimi i Apelit u mor nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Avni Mehmeti- kryetar, Albina Shabani-Rama dhe Ferit Osmani- anëtarë.

Në seancën fillestare më 23 shtator 2025, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj ish-ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tani Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit në këtë ministri, Besim Kamberaj, të cilët ngarkohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e plotë, në të cilën në pikën e parë thuhet se Fikrim Damka dhe Besim Kamberaj nga data 16 gusht 2021 e deri më 24 mars 2022 në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë- Damka në pozitën e ministrit të Zhvillimit Rajonal, kurse i pandehuri Kamberaj në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të kësaj Ministrie, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ-të: “Germin” dhe “Caritasi Zviceran” dhe shkeljes së të drejtave të personave tjerë, respektivisht Organizatave të Shoqërisë Civile të regjistruara në Kosovë.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit qershor dhe korrik të vitit 2021 në Prishtinë, Damka dhe Kamberaj duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Rregullores për përgjegjësitë administrative në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrive dhe Rregullores së Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, tejkalojnë kompetencat e tyre ligjore duke lidhur kështu marrëveshje me “Caritasin Zviceran” në kundërshtim me përgjegjësit dhe kompetencat të kësaj ministrie, respektivisht duke marrë përgjegjësitë që bien në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK).

Aty thuhet se fillimisht takohen me përfaqësuesin e autorizuar të OJQ-së “Caritasi Zviceran” Gerard Schaumberger dhe negociojnë mundësinë e lidhjes së një bashkëpunimi me të.

Pastaj, aktakuza thotë se i akuzuari Kamberaj në komunikim përmes e-maili me Kreshnik Bashën- përfaqësues i “Caritasit Zviceran”, në dijeni të të pandehurit Fikrim Damka, hartojnë dy koncept-dokumentet për dy projekte “Ndikimi mjedisor i të rinjve -YENI” dhe “Veprimi Komunal për Ri integrim dhe diasporë -MARDI”.

Në këtë koncept- dokument, sipas aktakuzës, thuhet se projektit MARDI pa pasur thirrje e përfshinë OJQ “Germin” në kundërshtim me Rregulloren e MF-së, duke i dhënë një rol kyç në realizimin e këtij projekti dhe duke e trajtuar si partnere të OJQ “Caritasi Zviceran”, pa pasur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me të.

Më pas, thuhet se Damka dhe Kamberi, pasi hartojnë dy koncept-dokumentet për projektet e lartpërmendura dhe draftin e Memorandumit të Bashkëpunimit, më 16 gusht 2021, nënshkruajnë Memorandumin në fjalë në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombetare dhe Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit, duke krijuar implikime të drejtpërdrejta buxhetore, kosto shtesë buxhetore jashtë çdo linje të miratuar buxhetore në momentin e lidhjes se Memorandumit.

Kurse, thuhet se më 5 maj 2022, i pandehuri Damka nxjerr vendim për ndarjen e mjeteve nga buxheti i MZhR-së nga programi Administrata Qendrore, në vlerën prej 147,000 euro për bashkëfinancimin e projektit “YENI” dhe 200,000 euro për financimin e projektit “MARDI”, që në total përbëjnë 347,000 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas nënshkrimit të memorandumit të lartpërmendur, të pandehurit dërgojnë kërkesën në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për transferim të mjeteve dhe pas vërejtjeve që kishin marrë nga kjo e fundit, se këto projekte, nuk hynë në kategorinë e investimeve kapitale, të pandehurit për t’i përshtatur kategoritë e burimeve të financimit, më 24 mars 2022 nënshkruan “Aneks memorandumin” dhe dy shtojcat e burimeve të financimit, i cili aneks-memorandum lidhet për implementimin e dy projekteve “YENI” dhe “MARDI”.

Aktakuza thotë se të akuzuarit Damka dhe Kamberi kanë vepruar në kundërshtim me Rregulloren për kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik, duke tejkaluar limitete e financimit të OJQ-ve nga fondet publike që është 1% e ndarjes totale buxhetore në kuadër të kodit/programit buxhetor për vitin përkatës fiskal kur programi i atij kodi është mbi 1 milion euro. Respektivisht, duke financuar për tre vite 2022, 2023, 2024 OJQ-të e përmendura më lartë në shumën prej 1 milion e 40 mijë euro.

Me këtë, thuhet se kanë tejkaluar shumëfish shumën e lejuar për një vit dhe me këto veprime shkelin edhe parimet e përgjithshme të financimit të OJQ-ve, duke mos bërë thirrje publike për të përzgjedhur OJQ-të përfituese.

Kështu, thuhet se kanë hyrë në obligime buxhetore në vlerën prej 1 milion e 40 mijë euro, duke nënshkruar marrëveshje në mënyrë të kundërligjshme, e që përfitojnë “Caritasi Zviceran” dhe “Germin”, e në të cilën shumë e dëmtojnë buxhetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Andaj me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të urdhërohen t’ia kompensojnë palës së dëmtuar shumën prej 1 milion e 40 mijë euro.

Po ashtu, PSRK-ja kërkoi që dy të akuzuarve t’iu shqiptohet dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik.

Ndryshe, ndaj Damkës dhe F.D., Prokuroria Themelore në Prizren më 23 mars 2025 ka ngritur aktakuzë për “Sulm” dhe “Kanosje”.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.