Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të enjten se “dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion”, as në Bashkimin Evropian dhe as në Ballkanin Perëndimor.
Këto komente, kreu i qeverisë gjermane i bëri gjatë pjesëmarrjes në samitin me liderët e rajonit në Mal të Zi në kuadër të Procesit të Berlinit.
Merz ndër të tjera përsëriti mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por theksoi se qeveritë e rajonit duhet të dëshmojnë vullnet politik dhe të zbatojnë reformat e nevojshme.
“Ne të gjithë i shohim protestat në mbarë rajonin dhe në vendet tona. Këto protesta, të dashur kolegë, na japin një mesazh të qartë. Duhet të vazhdojmë procesin e zgjerimit dhe të sigurohemi që qytetarët tanë të përfitojnë prej tij”, tha Merz, transmeton Klankosova.tv.
Kancelari gjerman theksoi se dhuna nuk ka vend në demokraci, duke paralajmëruar edhe për rrezikun e polarizimit të shoqërive.
“Kur përballemi me protesta në BE ose këtu në rajon, dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion nga asnjëra palë. Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të na çojnë drejt një Evrope më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë. Historia nuk do t’i shohë me sy të mirë ata që përçajnë në këto kohë komplekse”, deklaroi ai.
Mali i Zi është organizator i Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, takim ky që po mbahet në Budvë.

