Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti pritet ta shqyrtojë me kujdes situatën e Fikrim Damkës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij.
Gjatë një prononcimi, Nagavci është pyetur nëse Damka do të vazhdojë të mbajë detyrën, duke marrë parasysh qëndrimin e mëhershëm të Kurtit se në ekzekutiv nuk do të ketë persona ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza.
Ajo ka theksuar se vendimmarrja për këtë çështje i takon ekzekutivit dhe se pritet që së shpejti të ketë më shumë informacione.
“E kam parë edhe unë vendimin, domethënë nga media e kam kuptuar që Gjykata e Apelit e ka marrë këtë vendim, dhe besoj që kryeministri do ta shqyrtojë me shumë kujdes, ju e dini që kjo është që i takon ekzekutivit edhe besoj që shpejt do të njoftohemi edhe për këtë temë”, ka deklaruar Nagavci.
Gjykata e Apelit e Kosovës, më 19 tetor 2026, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ka konfirmuar aktakuzën ndaj Damkës, i cili mban pozitën e zëvendëskryeministrit të tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik.
Aktakuza lidhet me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Me vendimin e Apelit, procedura penale ndaj Damkës dhe një të pandehuri tjetër do të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Konfirmimi i aktakuzës nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë e të pandehurve. /Lajmi.net/

