Barcelona po bëhet gjithnjë e më pesimiste për mundësinë që Jules Koundé të jetë i gatshëm për El Clásicon e së dielës kundër Real Madridit.
Sipas mediumit spanjoll Mundo Deportivo, mbrojtësi francez po vuan nga një ndrydhje e rëndë e kyçit të këmbës së majtë, të cilën e pësoi në ndeshjen kundër Real Betisit të shtunën e kaluar.
Edhe pse arriti ta përfundonte atë takim, Koundé u pa duke çaluar dukshëm të nesërmen, ndërsa ekzaminimet mjekësore konfirmuan dëmtimin që e la jashtë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit.
Pavarësisht se trajneri Hansi Flick nuk e kishte përjashtuar mundësinë e rikthimit të tij për El Clásicon, gjendja aktuale nuk është aspak premtuese. Dhimbjet e forta dhe vështirësitë në ecje e bëjnë shumë të vështirë rikuperimin e tij në kohë për duelin me Real Madridin.
Një mundësi për ta lehtësuar përkohësisht dhimbjen do të ishte injektimi i një substance kundër dhimbjeve, por kjo mund të rrisë rrezikun e përkeqësimit të dëmtimit të ligamenteve, nëse lojtari detyrohet të luajë pa qenë plotësisht i rikuperuar.
Në Barcelonë, paraqitja e mirë e Xavi Espartit kundër PSG-së mund të ndihmojë në zbutjen e mungesës së mundshme të Koundés.
Ndërkohë, edhe mundësia që Frenkie de Jong të luajë në qendër të mbrojtjes duket më e vogël, pasi Flick nuk e aktivizoi fare holandezin në përballjen me kampionët e Evropës.
Barcelona përballet kështu me probleme serioze në repartin defensiv, vetëm pak ditë para El Clásicos, ku të dielën do të presë Real Madridin. /Zëri

