Gati një vit pasi lënda penale për rastin e rëndë të foshnjës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës u transferua në Degën e Gjykatës Themelore në Istog, palët nuk janë njoftuar as për transferimin, e as për caktimin e seancës së radhës.
Seanca është caktuar për 25 nëntor 2026, ndërsa rasti vazhdon të shoqërohet me shqetësimin për zvarritje dhe rrezikun e parashkrimit.
Ngjarja kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2022, kur një foshnjë e lindur pa shenja jete, sipas aktakuzës, ishte mbështjellë me çarçaf dhe ishte vendosur mbi frigorifer. Të nesërmen, trupi i saj dyshohet se përfundoi bashkë me çarçafët e papastër në lavatriçen e spitalit.
Rasti u zbulua kur familjarët shkuan në spital për ta marrë tërhequr trupin për varrim.
Trupi nuk u gjet në vendin ku ishte lënë, ndërsa gjyshi i foshnjës i pa me sytë e tij punëtorët e spitalit, derisa po i shkundnin nga çarçafët copëzat e foshnjës së vdekur, e cila kishte përfunduar gabimisht në lavatriçe me çarçafët e papastër.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë më 12 dhjetor 2024 ndaj gjinekologut Samir Imami dhe mamisë Edona Ademi, për veprën penale “Dëmtimi i varrezave apo kufomave”.
Gjinekologu mohon se ka qenë përgjegjësi e tij ruajtja e fetusit, ndërkaq mamia ka deklaruar se ajo e ka ruajtur foshnjën e vdekur sipas protokolit.
Avokatja e familjes, Saranda Keqekolla-Sadiku, ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e procedurës dhe rrezikun e parashkrimit.
Ndërkohë, gati një vit pas transferimit të lëndës në Istog, palët ende nuk janë njoftuar për këtë ndryshim apo për seancën e radhës.
Detajet mund t'i gjeni në emisionin Kiks Kosova:

