Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim përfaqësuesit e Listës “Koalicioni Shqiptar”, nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët e uruan për zgjedhjen në detyrën e Presidentes.
Gjatë takimit, Shiroka Pula i ka përgëzuar për bashkimin në një listë të përbashkët zgjedhore, në të cilën janë përfshirë tetë subjekte politike shqiptare për të garuar së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë, të planifikuara për 25 tetor, transmeton Klankosova.tv.
Ajo u ka uruar sukses në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit politik për fuqizimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Sipas njoftimit, presidentja ka vlerësuar se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë do të ndihmonte në denoncimin më të fuqishëm të shkeljeve të të drejtave të tyre, si dhe në adresimin institucional të kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në fund të takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të madhe të shqiptarëve në zgjedhjet e 25 tetorit, me synimin që përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Serbisë të jetë sa më i fuqishëm.

