Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, pas një përleshjeje që ndodhi në një lokal në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 17 tetor, rreth orës 23:45, përmes Qendrës së Thirrjeve 192. Përleshja kishte ndodhur në një lokal në rrugën “Zoran Dindić”.
Njësitë policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë marrë informacion se një person ishte dërguar nga emergjenca në spital për trajtim të mëtejmë.
Viktima, një 23-vjeçar, ka deklaruar para Policisë se ishte sulmuar me mjete të forta dhe grushte nga persona të panjohur.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur t’i identifikojë dy të dyshuarit, të cilët më 21 tetor janë paraqitur në stacionin policor dhe janë intervistuar nga hetuesit.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, njërit prej të dyshuarve, N.M., i lindur më 1995, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, D.M., i lindur më 2000, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin e rastit, ndërsa ka ftuar qytetarët që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192. /Telegrafi/

