Një teori e re rreth marrëdhënieve që shumë njerëz e marrin si të mirëqenë – rregulli 3-6-9 – është përhapur në TIKTOK.
Koncepti i ndan nëntë muajt e parë të një marrëdhënieje në tre faza, dhe sipas kësaj teorie, vetëm çiftet më të qëndrueshme mbijetojnë, shkruan Vice.
Çfarë është rregulli 3-6-9?
Susan Trombetti, drejtoreshë e agjencisë së takimeve Exclusive Matchmaking, shpjegon se rregulli 3-6-9 nuk është një ide e re, por është bërë popullor për shkak të emrit të tij tërheqës. Teoria përshkruan tre faza kryesore nëpër të cilat kalojnë partnerët në vitin e parë të një marrëdhënieje.
0-3 muaj: Faza e muajit të mjaltit
Zakonisht, një çift i kalon tre muajt e parë të një lidhjeje në atë që njihet si faza e muajit të mjaltit. “Faza e muajit të mjaltit është një periudhë ku gjithçka duket perfekte. Të dridhen drithërat kur flet me këtë person dhe të duket sikur asgjë nuk mund të shkojë keq”, thotë Trombetti.
3-6 muaj: Faza e konfliktit
Rregulli 3-6-9 thotë se faza e muajit të mjaltit mbaron pas tre muajsh, kur fillon faza e konfliktit. Gjatë kësaj periudhe, ju ndaloni së idealizuari partnerin tuaj dhe kuptoni se ai është thjesht një person me të meta, dhe e njëjta gjë vlen edhe për perceptimin e tij për ju. Kjo është kur mund të zbulohen acarime të vogla dhe papajtueshmëri të mundshme.
Asnjë marrëdhënie nuk është perfekte dhe grindjet janë të pashmangshme herë pas here, por çiftet që mësojnë të zgjidhin konfliktet si ekip kanë një shans të mirë për ta kaluar këtë fazë. “Faza e konfliktit është kur ka të ngjarë të keni grindjen tuaj të parë serioze. Mund ta konsideroni atë grindjen tuaj të parë të vërtetë”, thotë Trombetti.
“Kjo situatë do t’i tregojë personit tjetër se si komunikoni gjatë konfliktit dhe si e zgjidhni atë.”
6-9 muaj: Faza e vendimmarrjes
Midis muajit të gjashtë dhe të nëntë vjen koha për të vlerësuar përputhshmërinë afatgjatë me një partner. Nëse lindin dyshime, mund të vendosni që nuk doni të investoni më kohë në marrëdhënie.
“Faza e vendimmarrjes afatgjatë është momenti kur thyhesh: A është ky person për mua? A do ta shoh për gjithë jetën?” shpjegon Trombetti. “Atëherë fillon të kuptosh nëse dikush është vërtet ‘i duhuri’ dhe nëse ia vlen të investosh kohë dhe emocione tek ai person.”
A është rregulli i besueshëm?
Trombetti mendon se ky është një afat kohor logjik. Megjithatë, ajo zakonisht këshillon të presësh tre muaj para se të përfshihesh zyrtarisht, gjë që mund ta shtyjë fazën e muajit të mjaltit përpara. “Pajtohem që zakonisht ka më shumë konflikt midis muajit të tretë dhe të gjashtë, dhe kjo të tregon shumë për personin”, shton ajo.
“Sa i përket periudhës gjashtë deri në nëntë muaj, atëherë duhet ta dini nëse doni të ndërtoni një të ardhme me dikë. Megjithatë, kjo mund të ndodhë më herët nëse e keni njohur personin më parë ose nëse punoni me një terapist, si një këshilltar marrëdhëniesh. Afatet kohore janë relative dhe varen nga sa shumë keni punuar me veten.”
Ndërkohë që rregulli mund të zbatohet në shumë marrëdhënie, nuk duhet të merret si e vetmja këshillë e shëndoshë për jetën tuaj dashurore. “Unë sugjeroj që ta përdorni këtë afat kohor si një lloj vetëkontrolli”, rekomandon Trombetti.
“Për shembull, mua më pëlqen periudha gjashtë deri në nëntë muaj sepse atëherë duhet ta dish nëse është diçka afatgjatë. Nuk po them që duhet të martohesh menjëherë, por është një kohë e mirë për të kuptuar nëse ka ndonjë shenjë paralajmëruese dhe nëse dëshiron ta bësh fare. Nëse nuk je e sigurt, kjo mund të jetë përgjigjja.”

