Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka.
Vendimi i gjykatës së shkallës së dytë ka ardhur, pasi muaj më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj zvëndëskryeministrit Damka e kishte hedhur poshtë.
Sipas njoftimit, Apeli ka konfirmuar aktakuzën për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” ndaj Damkës dhe Besim Kamberajt, edhe pse Themelorja vendosi ta pushojë procedurën me arsyetimin se “nuk ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e procedurës penale në mungesë të provave”.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.36/2025, të datës 16.02.2026, dhe vendosur që çështja penale ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K., për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2, nën paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK, të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.”, thuhet në njoftim.
Kolegji gjykues i Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale, duke konstatuar shkelje esenciale sipas nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale.
“Gjithashtu, ka konstatuar se, bazuar në provat e çështjes në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen dhe se provat janë mbledhur e siguruar në përputhje me ligjin. Andaj, Gjykata e Apelit ka vendosur që procedura penale ndaj të njëjtëve të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.”, thuhet në njoftim.
Damka, si ministër i Zhvillimit Rajonal, dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj, akuzohen nga Prokuroria Speciale se ua kanë mundësuar jashtëligjshëm përfitimin prej një milion eurosh për “Caritasin Zviceran” dhe për organizatën “Germin”, në periudhën 2021-2022.

