Ekspozita ndërkombëtare multimediale e artit bashkëkohor “PLAY ON”, në kuadër të edicionit të 14-të të NET/RRJET, do të hapet sonte, në orën 18:00, në Barabar Centre, në Prishtinë.
E organizuar nga EXPOART.40 dhe e kuruar nga Zeni Ballazhi, ekspozita sjell artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke ofruar një hapësirë për prezantimin e praktikave, qasjeve dhe gjuhëve të ndryshme të artit bashkëkohor. Përmes karakterit të saj multimedial, “PLAY ON” synon të krijojë një pikëtakim mes artistëve dhe publikut, duke nxitur ndërveprimin me shprehjet e ndryshme artistike dhe duke pasuruar skenën e artit bashkëkohor në Prishtinë.
Në edicionin e 14-të i NET/RRJET pjesëmarrës janë: Arbër Sahiti (Kosovë), Dan Smith (Mbretëria e Bashkuar), Daria Baiocchi (Itali), Riccardo Gagliarducci (Itali), Roberto Rosso (Itali), Dominik Shtibernik (Slloveni), Genc Rezniqi (Kosovë), Irena Paskali (Maqedonia e Veriut/Gjermani), Majlinda Kelmendi (Kosovë), Marianna Glynska (Ukrainë/Gjermani), Peter Pocs (Hungari), Simone Lukas (Gjermani).
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 tetor 2026, në Barabar Centre, në Prishtinë. /KlanKosova.tv

