Protesta e studentëve në Tiranë ka vijuar për të nëntën ditë radhazi, ndërsa në tubim u janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve në Shqipëri.
Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë përmbysur karriget e vendosura këtë mëngjes nga kryeministri Edi Rama, si shenjë e gatishmërisë së tij për dialog.
Pavarësisht ftesës së kreut të qeverisë për bisedime, studentët kanë këmbëngulur në kërkesat e tyre, përfshirë dorëheqjen e Ramës.
Përmbysja e karrigeve ka tensionuar situatën para godinës së Kryeministrisë, ku ka ndërhyrë edhe policia për qetësimin e situatës.
Ndërkohë, pedagogët kanë dalë në protestë në mbështetje të studentëve dhe nxënësve, përpara Universitetit Politeknik të Tiranës.
Përfaqësuesit e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) kanë njoftuar edhe bojkotimin e mësimit, në shenjë reagimi ndaj situatës së krijuar dhe pretendimeve për dhunë ndaj studentëve dhe protestuesve.

