KORREKT / SOT21 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Komisioni për Buxhet nuk e miraton amendamentin për 1 milion euro për protezat e invalidëve të luftës

Komisioni për Buxhet nuk e miraton amendamentin për 1 milion euro për protezat e invalidëve të luftës

Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Amendamenti i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur, nuk mori mbështetjen e anëtarëve, pasi pesë votuan për, asnjë kundër dhe pesë abstenuan.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, e prezantoi amendamentin që parasheh ndarjen e mjeteve shtesë për këtë kategori.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar në mars të vitit 2024, dhe se mbulimi bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ndërkaq, Haliti theksoi se sipas informatave të marra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës, përmes të cilave është përcaktuar mundësia e mbulimit financiar për protezat.

Megjithatë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e mbështeti amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës vazhdojnë të paraqesin ankesa për mbulimin e shpenzimeve të protezave.

Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e vlerësoi të qëlluar amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës janë përballur me vështirësi në sigurimin e protezave dhe se, sipas saj, shpesh kanë pasur nevojë për ndihmën e miqve dhe të bashkatdhetarëve në diasporë.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se përkrah amendamentin, por vlerësoi se çështja duhet të zgjidhet në mënyrë të përhershme, duke i përfshirë shpenzimet për protezat në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK. /EO

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.