Trageti me dhjetëra pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë të martën teksa po i afrohej portit të Merakut, në perëndim të Indonezisë.
Zjarri u vu re nga personeli në breg, pranë pjesës së pasme të tragetit KMP Batumandi, rreth dy orë pasi mjeti ishte nisur nga provinca Lampung, në jug të ishullit, Sumatra, raporton Klan Kosova.
Teksa tymi i zi ngrihej mbi traget, rimorkiatorët vazhduan me spërkatjet me ujë për të shuar flakët.
Autoritetet konfirmuan se të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan në mënyrë të sigurt.
Sipas zëdhënëses së kompanisë shtetërore të trageteve, evakuimi përfundoi brenda një ore.
Pasagjerët e shpëtuar u dërguan në terminalin e portit, ku autoritetet kontrolluan gjendjen e tyre.
E në operacion u angazhuan autoritetet portuale, Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit dhe policia.
Ndërkohë, shkaku i zjarrit mbetet nën hetim. Kompania tha se po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e plotë të incidentit. /Klankosova.tv

