KORREKT / SOT20 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Rasti i KIKS-it: I zhdukën pamjet e kamerave, të dyshuarit tjerë s’janë gjetur / Pse u lirua Ilir Rexhepi?

Rasti i KIKS-it: I zhdukën pamjet e kamerave, të dyshuarit tjerë s’janë gjetur / Pse u lirua Ilir Rexhepi?

Ilir Rexhepi, i dyshuari për sulmin ndaj ekipit të Kiks Kosovës, është liruar nga paraburgimi, ndonëse kishte pranuar se i kishte sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e ekipit, të cilët po kryenin punën e tyre në terren.

Ai u lirua pas 48 orësh, ndërsa ende nuk ka përgjigje se kush ishin personat e tjerë që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit, kur u rrahën tre nga katër pjesëtarët e ekipit të Kiks Kosovës.

Sulmi dyshohet se ishte i mirëorganizuar. Dy vetura ia zunë pritën ekipit të Kiks Kosovës, ndërsa sulmuesit i rrahën pjesëtarët e tij, pa u dhënë mundësi as të flisnin e as të liroheshin nga rripat e sigurisë, pasi vetura ishte ende në lëvizje.

Në deklarimet e tij para Policisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rexhepi ka pretenduar se nuk i njihte mirë personat e tjerë që ishin me të gjatë sulmit.

Sipas informacioneve të Kiks Kosovës, Rexhepi ka deklaruar se personat me të cilët ndodhej në momentin e sulmit ishin shokët e tij nga Maqedonia. Megjithatë, ai ka pretenduar se ua dinte vetëm emrat, por jo mbiemrat.

Sipas informacioneve të redaksisë, ai ka deklaruar se nuk e dinte që ata ishin gazetar dhe se kishte menduar që ekipi i Kiks Kosovës ishte i pajisur me molotovë.

Ndërkohë, pjesëtarët e ekipit të Kiks Kosovës kanë dhënë tri herë dëshmi në polici dhe prokurori lidhur me rastin. Gjatë deklarimeve të tyre, ata kanë identifikuar edhe përmes fotografive personat e tjerë të dyshuar për përfshirje në sulm.

Sipas informacioneve të Kiks Kosovës, personat e tjerë që ndodhen në arrati dyshohet se janë djemtë e Ilir Rexhepit. Ekipi i ka identifikuar ata edhe përmes fotografive, të cilat ua kanë paraqitur organet e hetuesisë gjatë dhënies së dëshmive.

Në përgjigjen e saj për Kiks Kosovën, më 12 tetor, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte deklaruar se personat e tjerë të dyshuar ende nuk ishin identifikuar dhe se po ndërmerreshin veprime hetimore për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Megjithatë, pavarësisht pranimit të sulmit nga Ilir Rexhepi, Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij. Rexhepi u lirua pas 48 orësh, ndërsa hetimet për personat e tjerë të dyshuar mbeten një çështje për të cilën Kiks Kosova ende kërkon përgjigje nga organet e ndjekjes.

Por sulmi ndaj ekipit të Kiks Kosovës nuk përfundon me lirimin e Ilir Rexhepit.

Përveç dyshimeve për sulmin fizik dhe marrjen e kamerës së ekipit, hetimet përfshijnë edhe rrethanat se çfarë ndodhi me pajisjet e kamerave të sigurisë në vendin ku ndodhi ngjarja.

Sipas burimeve të Kiks Kosovës, më 12 tetor, kur policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes, pajisjet DVR nuk ndodheshin aty. Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte konfirmuar se po hetonte edhe këtë çështje, për të sqaruar se çfarë kishte ndodhur me to.

Dyshimet për zhdukjen e pajisjeve që mund të përmbanin pamje të rëndësishme për hetimin ngrenë pikëpyetje shtesë për ruajtjen e provave dhe veprimet e ndërmarra nga organet e drejtësisë.

Prokuroria e kishte arsyetuar moskërkimin e paraburgimit ndaj Rexhepit me vlerësimin e rrethanave të rastit dhe të rolit të tij në kryerjen e veprës penale.

Megjithatë, mbetet të sqarohet se si janë vlerësuar rrethanat e rastit, përfshirë dyshimet për zhdukjen e pajisjeve DVR dhe nevojën për sigurimin e provave, ndërkohë që personat e tjerë të dyshuar ende nuk janë vënë para drejtësisë.

Kush janë personat që morën pjesë në sulm?

Çfarë ndodhi me pajisjet e kamerave të sigurisë?

Dhe pse nuk u kërkua paraburgimi për të dyshuarin që pranoi se kishte sulmuar ekipin?

Përgjigjet për këto pyetje, Kiks Kosova ende nuk i ka marrë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ndiqni kronikat e Kiks Kosova për këtë çështje:

Ndiqeni emisionin e plotë:

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.