Historia e kontestit pronësor për 40 ari tokë në fshatin Nikadin të Ferizajt, të cilat familja Rexhepi pretendon se i takojnë trashëgimisë së Hamit Rexhepit, vazhdon të mbetet e pazgjidhur, ndërsa rasti aktualisht është në pritje të një vendimi nga Gjykata e Apelit.
Historia e kësaj prone nis në vitin 1974, pak kohë pas vdekjes së Hamit Rexhepit, i cili la pas shtatë fëmijë nga dy martesa. Sipas pretendimeve të familjes, Ademi, djali i madh i Hamitit nga martesa e parë, nga e cila kishte edhe një vajzë, i kishte lënë jashtë trashëgimisë pesë fëmijët e babait nga martesa e dytë, raporton Kiks Kosova.
Sipas familjarëve, ata nuk kishin dijeni për bartjen e pronës deri në vitin 2006, kur një vendim gjykate ua ndaloi punimin e tokës, pasi ajo ishte bartur në emër të Ariton Rexhepit, djalit të Ilirit dhe nipit të Ademit.
Bajram Rexhepi, së bashku me vëllezërit Afrim dhe Makfir, pretendon se Ademi kishte bartur pronën pa dijeninë dhe pëlqimin e vëllezërve të tjerë, duke i lënë jashtë procesit të trashëgimisë edhe dy motrat, Rafeten dhe Lumnijen.
Sipas avokatit të Bajram Rexhepit, Visar Musa, bartja e pronës ishte realizuar duke shfrytëzuar besimin e Sami dhe Alush Tahirit, ish-pronarëve të tokës. Sipas tij, atyre u ishte thënë se familja Rexhepi ishte pajtuar që prona të kalonte fillimisht në emër të Ademit.
Megjithatë, avokati Musa pretendon se një marrëveshje e tillë nuk ishte arritur asnjëherë dhe se pesë fëmijët e Hamitit nga martesa e dytë nuk kishin pasur dijeni për këto veprime.
Daut dhe Sami Tahiri, të cilët ishin dëgjuar si dëshmitarë në gjykatë, kishin deklaruar se ishin vënë në lajthitje lidhur me bartjen e pronës. Sipas deklarimeve të tyre, toka i ishte shitur familjes së Hamit Rexhepit që në vitet e ’60-ta, ndërsa bartja e saj në emër të Ademit ishte bërë mbi bazën e informacioneve që, sipas tyre, më vonë rezultuan të pasakta.
Dokumentet që posedon KIKS-i tregojnë se vëllezërit Tahiri, në vitin 2014, kishin dhënë një deklaratë para noterit, ku kishin deklaruar se toka i ishte shitur Ademit, duke u bazuar në atë që u kishte thënë kushëriri i tyre, Dauti. Në vitin 2017, ata kishin deklaruar para trupit gjykues në Ferizaj se prona ishte bartur nën lajthitje.
Megjithatë, sipas avokatit Visar Musa, gjykata nuk i kishte marrë parasysh dëshmitë e tyre si të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin.
Kundër aktvendimit, familja Rexhepi ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku lënda aktualisht është në pritje të vendimit. Fillimisht, familjen e kishte përfaqësuar një avokat tjetër, i cili ka ndërruar jetë, ndërsa më pas çështjen e mori përsipër avokati Visar Musa.
Ndërkohë, prona që dikur shfrytëzohej nga familja Rexhepi është shndërruar në një lagje të tërë banimi, ku shtëpitë tashmë janë shitur. Kjo, sipas familjarëve, e ndërlikon edhe më shumë zgjidhjen e kontestit pronësor.
Bajram Rexhepi ka deklaruar se kishte tentuar disa herë të kontaktonte familjarët e përfshirë në këtë çështje për të gjetur një zgjidhje jashtë gjykatës, por, sipas tij, i ishte thënë se kontesti do të zgjidhej vetëm përmes rrugës gjyqësore.
Familja vazhdon të kërkojë njohjen e të drejtave të saj trashëgimore, ndërsa fati i 40 ari tokë mbetet i lidhur me vendimin që pritet të marrë Gjykata e Apelit.
Ndiqni kronikat e Kiks Kosova për këtë çështje:
Ndiqeni emisionin e plotë:

