Mbi tremijë dyqane në Francë raportohet të jenë vandalizuar ose plaçkitur nga protestuesit që tash e sa ditë janë duke u përplasur me forcat policore.
Këto pamje nga kryeqendra franceze dhe disa qytete tjera, ditëve të fundit kanë pushtuar botën.
“Përmasat e dëmit janë të jashtëzakonshme. Gjithçka është shkatërruar, gjithçka. Nuk më ka mbetur asnjë mall, e dogjën të gjithën,” ka thënë për Euronews Odelia, pronare e një dyqani farmaceutik në Paris.
“Nuk e kuptoj dot se si dikush mund t’i vërë zjarrin një ndërtese, kur sipër saj ka banesa.”
“U sollën si kafshë. Shkulën ngrohësen e ujit. Shkatërruan pajisjet e ndriçimit. A kështu protestohet kundër kostos së lartë të jetesës?”, ka thënë tutje ajo.
Ndërkaq, të martën, sipas autoriteteve, Franca do të vendosë masa të reja shtetrrethimi në zonat ku është e nevojshme.
Sipas tyre, masat e marra një ditë më parë në disa qytete “ndihmuan që nata të kalonte e qetë”.
Nën presion, qeveria ka planifikuar një tjetër seri takimesh urgjente për të martën, përfshirë bisedime me përfaqësues të platformave kryesore të rrjeteve sociale.

