Inteligjenca artificiale pret fitore të Paris Saint-Germainit me rezultat 3-2 ndaj Barcelonës, në përballjen e shumëpritur të Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet të martën mbrëma.
Sipas një analize të publikuar nga Goal.com, duke iu referuar Kooora-s, inteligjenca artificiale u pyet për rezultatin e mundshëm të ndeshjes mes dy skuadrave në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Parashikimi i saj është një fitore 3-2 për kampionët francezë, të cilët do të përfitojnë nga avantazhi i fushës vendase në “Parc des Princes”.
Mbrojtja, shqetësimi kryesor i Barcelonës
Një nga arsyet kryesore për këtë parashikim është situata e vështirë e Barcelonës në repartin defensiv. Sipas artikullit, mungesat e Jules Koundes, Eric Garcias dhe Andreas Christensenit për shkak të lëndimeve ia vështirësojnë trajnerit Hansi Flick formimin e një mbrojtjeje të qëndrueshme.
Kjo situatë mund t’i krijojë hapësira PSG-së, e cila njihet për shpejtësinë në sulm dhe aftësinë për të shfrytëzuar gabimet e kundërshtarëve.
PSG-ja synon ta shfrytëzojë avantazhin vendas
Paris Saint-Germaini pritet të mbështetet te fuqia e repartit ofensiv dhe përkrahja e tifozëve për të ushtruar presion ndaj skuadrës katalunase.
Megjithatë, Barcelona ka treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit dhe posedon potencial të madh sulmues, ndaj parashikimi sugjeron një përballje të hapur, me gola nga të dyja skuadrat.
Sipas inteligjencës artificiale, rezultati përfundimtar mund të jetë 3-2 në favor të PSG-së, por ky mbetet vetëm një parashikim dhe jo një garanci për atë që do të ndodhë në fushë. /Zëri

