Dy persona kanë vjedhur një fanellë të Barcelonës dhe një shirit kapiteni të nënshkruar nga Lionel Messi, në një dyqan në qendër të Parisit, ndërsa qyteti është përfshirë nga trazirat e ditëve të fundit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dy persona me kapuç duke i mbajtur me krenari para kamerës sendet e vjedhura. Ngjarja ndodhi pranë Place de la Republique, në një zonë ku janë raportuar edhe akte vandalizmi.
Fanella dhe shiriti i kapitenit kanë vlerë të madhe financiare dhe emocionale për koleksionistët, ndërsa çmimi i tyre mund të rritet ndjeshëm me kalimin e kohës.
Sipas raportimeve, rreth 2.000 persona janë arrestuar gjatë trazirave, të cilat kanë ndodhur paralelisht me protesta ku më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë marrë pjesë në mënyrë paqësore.
Sendet e përdorura dhe të nënshkruara nga Messi shiten për shuma të jashtëzakonshme në tregun e koleksionistëve. Tre vjet më parë, gjashtë fanella të veshura nga ylli argjentinas gjatë triumfit të Argjentinës në Kupën e Botës 2022 në Katar u shitën në ankand për më shumë se një milion dollarë secila, duke vendosur një rekord për këtë kategori.
Vlera e sendeve të vjedhura do të varet nga disa faktorë, përfshirë ndeshjen në të cilën janë përdorur, paraqitjen e Messit në atë takim, gjendjen e tyre dhe kërkesën nga koleksionistët.
Edhe pse vlera e saktë e fanellës dhe shiritit të kapitenit nuk mund të përcaktohet pa më shumë detaje, ato mund të shiten për mijëra dollarë në tregun e zi, nëse nuk gjenden para se të shiten./Telegrafi/

