Prishtina po kalon një formë fantastike në Superligën e Kosovës, duke regjistruar shtatë fitore dhe dy barazime në nëntë ndeshjet e fundit, si e vetmja skuadër pa humbje.
Fitorja e fundit 1-0 ndaj Ballkanit në Suharekë, me golin e Rin Ahmetit, e ka ngjitur skuadrën në kuotën e 23 pikëve në krye të tabelës, krahas Malishevës, transmeton Klankosova.tv.
Trajneri Orges Shehi vlerësoi lart sakrificën e lojtarëve, veçanërisht pasi u ndëshkuan me një lojtar më pak dhe përballuan dëmtimet e lojtarëve si Baftiu e Assane.
Edhe pse mbetëm me një lojtar më pak dhe me dy lojtarë që nuk mundën të vazhdonin për arsye fizike, kjo është një fitore e rëndësishme. Bravo e madhe djemve për shpirtin e garës”, u shpreh Shehi, duke theksuar se ky mentalitet është i domosdoshëm për objektiva madhore.
Në ndeshjen e radhës, Prishtina do të presë Dritën për të vazhduar ecurinë pozitive, përcjell Klankosova.tv.

