Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë për vonesat në pagesën e subvencioneve për fermerët, duke thënë se këto mjete po shpërndahen pothuajse një sezon me vonesë.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka deklaruar se fermerët tashmë i kanë mbjellë tokat, kanë punuar dhe kanë korrur prodhimet, ndërsa shumë prej tyre, sipas saj, i kanë kryer këto punë duke u zhytur në borxhe.
Ajo ka vlerësuar se pagesat e vonuara nuk po e përmbushin qëllimin e subvencioneve, pasi fermerët po i marrin paratë pasi kanë përfunduar shpenzimet e tyre.
“Ministria e Bujqësisë po i paguan subvencionet pothuajse një sezonë me vonesë dhe këtë po e paraqet si sukses!”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, në këto rrethana, subvencionet shërbejnë më shumë për shlyerjen e borxheve të krijuara gjatë vjeshtës dhe pranverës, sesa për të nxitur prodhimin bujqësor.
Bajrami ka theksuar gjithashtu se politikat e tilla nuk po arrijnë efektin e synuar, ndërsa Kosova vazhdon të importojë një pjesë të madhe të produkteve që konsumon.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që subvencionet të paguhen me kohë, në mënyrë që fermerët të mos përballen me vështirësi shtesë financiare.

