Përshkallëzimi i dhunës dhe trazirave nga protestat në disa qytete dhe kryeqendra evropiane, ka bërë që të ketë shumë reagime lidhur me kërkesat e protestuesve, që kryesisht janë studentë dhe të rinj.
Një protestë e tillë, tash e shtatë ditë është duke u organizuar edhe në Tiranë, si dhe në Milano e Paris.
Protestat në kryeqendrën franceze i ka komentuar analisti Selam Hajrizi, duke thënë se ngjarjet e fundit atje kanë krijuar një tronditje të thellë në kupolën shtetërore të vendit.
Hajrizi, gjatë diskutimit në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, theksoi se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po kalon një nga periudhat më të vështira dhe më të tensionuara.
Presidenti Macron mbrëmë për shembull ishte… është hera e parë që e kam parë aq shumë të shqetësuar”, tha Hajrizi.
Sipas tij, barra e këtyre ngjarjeve të rënda ka rënë menjëherë mbi drejtuesit e sigurisë, duke sjellë edhe kërkesa për llogaridhënie të drejtpërdrejtë.
Ministri i tij i Punëve të Brendshme jo vetëm që sot ia prezantoi dorëheqjen, mirëpo ministri pak a shumë dhe tha se në një deklaratë e dëgjova ai është përgjegjës për gjithçka ka ndodhur gjatë këtyre ditëve. Ministri i Brendshëm francez e mori përgjegjësinë mbi vete”, tha ai.
Hajrizi nënvizoi se ashpërsia e përleshjeve në rrugët e Francës ka arritur përmasa dramatike, duke tejkaluar çdo parashikim.
Ndër të tjera, Hajrizi vuri në pah se boshti kryesor i këtyre protestave nuk janë studentët, por gjimnazistët, të cilët janë të shtyrë nga pakënaqësitë me rritjen e kostos së jetesës, inflacionin dhe problemet ekonomike.

