Në sheshin e qytetit të Mitrovicës është mbajtur marshi në kuadër të aktivitetit ndërkombëtar “Java e Njeriut me Shkop të Bardhë”, me qëllim të ndërgjegjësimit për të drejtat, nevojat dhe sfidat e personave të verbër.
Aktiviteti u organizua nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i Mirëqenies Sociale, Ramdan Beshiri, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për personat me nevoja të veçanta dhe kategoritë e tjera që kanë nevojë për përkrahje.
Ai bëri të ditur se komuna po i mbështet këto kategori edhe materialisht, për t’u mundësuar realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të tyre.
“Komuna e Mitrovicës po tregon kujdes të shtuar ndaj personave me nevoja të veçanta, si dhe ndaj kategorive të tjera të qytetarëve që kanë nevojë për mbështetje”, thuhet në njoftimin e komunës, duke iu referuar deklarimit të drejtorit Beshiri.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Shoqatës së të Verbërve shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga komuna, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për përmirësimin e kushteve dhe përfshirjen e personave të verbër në shoqëri.
Në kuadër të shënimit të kësaj jave, Drejtoria për Mirëqenie Sociale ka organizuar edhe një drekë festive për anëtarët e shoqatës, si dhe një ekskursion për personat e verbër dhe shoqëruesit e tyre, me synim krijimin e mundësive për socializim dhe pjesëmarrje të barabartë në aktivitete shoqërore. /Telegrafi/

