Jose Mourinho ka përcaktuar dy objektivat kryesore të Real Madridit në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve: sigurimin e kualifikimit dhe përfundimin në tetë vendet e para, për të shmangur ndeshjet shtesë të “play-off”-it.
Trajneri portugez theksoi se kalimi tutje nuk është objektivi i vetëm i madrilenëve, pasi përfundimi në tetëshen e parë do t’i kursente skuadrës dy ndeshje shtesë në fazën eliminatore.
Mourinho rikujtoi se sezonin e kaluar Real Madridi ishte detyruar të luante në këtë fazë, duke nënvizuar se ndeshje të tilla nuk janë të mirëpritura për një skuadër që synon të shkojë deri në fund të garës.
“Janë dy objektiva në këto tetë ndeshje. I pari është kualifikimi, ndërsa i dyti përfundimi në tetëshen e parë, që do të thotë të luash dy ndeshje më pak”.
“Vitin e kaluar, Real Madridi u detyrua t’i luante ato ndeshje dhe nuk janë ndeshje që i dëshiron”.
Ai foli edhe për vështirësitë e ndeshjeve të fundit evropiane, duke vlerësuar se skuadra ka arritur të marrë gjashtë pikë ndaj kundërshtarëve italianë, pavarësisht rrethanave të vështira.
Megjithatë, trajneri paralajmëroi se përballja e radhës ndaj Leipzigut do të jetë e vështirë, pasi skuadra gjermane vjen pas humbjes nga Bayerni dhe do të kërkojë reagim.
“Ne morëm gjashtë pikë ndaj skuadrave italiane në rrethana të vështira. Leipzigu vjen pas një humbjeje nga Bayerni dhe është më i rrezikshëm”, përfundoi trajneri portugez./Telegrafi/

