KORREKT / SOT19 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Demo: Protesta ka kaluar vijën e kuqe – 295 të lënduar në gjashtë ditë, mes tyre 186 policë

Demo: Protesta ka kaluar vijën e kuqe – 295 të lënduar në gjashtë ditë, mes tyre 186 policë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dënuar ashpër dhunën gjatë protestave të ditëve të fundit, duke deklaruar se situata ka kaluar çdo vijë të kuqe dhe se ngjarjet e fundit nuk mund të konsiderohen më si protestë studentore.

Në një deklaratë për mediat, në prani të forcave të Policisë së Shtetit, Demo u ndal te sulmet ndaj komisariateve dhe institucioneve, duke theksuar se gjatë natës së fundit janë dëmtuar efektivë policie që ndodheshin në detyrë për mbrojtjen e godinave.

“Situata ka kaluar vijën e kuqe. Dje është sulmuar komisariati dhe punonjësit që kanë qenë aty janë dëmtuar deri në djegie. Kjo është e papranueshme dhe tregon se elementët e dhunës të përfshirë në këtë protestë kanë arritur në nivele që tregojnë se kjo nuk është më protestë studentore dhe nuk mund të quhet më protestë”, u shpreh ministri.

Demo bëri të ditur se gjatë gjashtë ditëve të fundit janë regjistruar 295 persona të lënduar, mes tyre 186 punonjës policie. Sipas tij, të dëmtuarit përfshijnë efektivë, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.

“Janë 295 të lënduar në këto gjashtë ditët e fundit, 186 punonjës policie. Janë 295 shqiptarë që kanë pësuar dëmtime jo të lehta, policë, protestues, kalimtarë e gazetarë”, deklaroi Demo.

Ministri kritikoi gjithashtu mungesën e reagimeve nga forcat politike ndaj dhunës, ndërsa pretendoi se disa prej elementëve të përfshirë në akte të dhunshme kanë gjetur mbështetje pranë një partie politike.

“Punonjësit e policisë kanë duruar dhunë barbare. Sot nuk kemi parë që forcat politike të dalin dhe të mbajnë qëndrim sa i përket kësaj dhune të kryer”, tha ai.

Në përfundim, Demo falënderoi efektivët e Policisë së Shtetit për angazhimin dhe vetëpërmbajtjen, duke theksuar se institucionet do të vijojnë të jenë pranë tyre.

“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Dhuna nuk është mjet negocimi. Ne jemi këtu për të mbrojtur atë që është më e shenjta: demokracinë shqiptare”, përfundoi ministri./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.